zoom

Aktualitet

Protesta me molotovë dhe vendosja e flakës së vilës së ish-diktatorit, arrestohen 4 persona! Procedohet deputeti i PD

Protesta me molotovë dhe vendosja e flakës së vilës së ish-diktatorit, arrestohen 4 persona! Procedohet deputeti i PD

Katër persona janë arrestuar pas protestës së organizuar më 28 shkurt 2026 në Tiranë, thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Në pranga janë vënë Leonardo Marku, 20 vjeç, Robespier Dervishaj, 33 vjeç, Doris Rista, 21 vjeç dhe Sergei Rapo, 36 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Sipas hetimeve, gjatë protestës të arrestuarit dyshohet se kanë ushtruar dhunë, kanë kundërshtuar efektivët e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të rendit dhe të godinës së njohur si Vila 31, në momentin kur brenda saj ndodheshin persona, përfshirë edhe shtetas të huaj. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike, të cilat janë dërguar për ekspertim kriminalistik.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një i mitur 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Materialet janë referuar në Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe për deputetin Klevis Balliu, i dyshuar për shkelje të ligjit “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Ndërkohë, vijon administrimi dhe këqyrja e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Postime të lidhura