zoom

Kosova

Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm, merret sot vendimi për Naim Murseli dhe dy të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm, merret sot vendimi për Naim Murseli dhe dy të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallet sot vendimin për vrasjen e Liridona Ademaj, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Vendimi pritet të shpallet në 13:30, ndërkohë që Murseli, Plava e Kokalla nuk do të marrin pjesë në seancë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, për të tre të akuzuarit për vrasjen që ndodhi në nëntor të vitit 2023, ka  kërkuar dënim me burgim të përjetshëm. 

Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është argumentuar që të akuzuarit janë dakordësuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Burgim të përjetshëm për të akuzuarit ka kërkuar edhe familja Ademaj. Vëllai i Liridonës, Leonardi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar për planifikimin e vrasjes.

Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, avokati Shemsedin Piraj ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm është e ashpër.

Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e ka përkrahur i akuzuari Naim Murseli. Ai ka thënë se po akuzohet për një krim që nuk e ka kryer dhe nuk ka qenë në dijeni për të.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë dakorduar paraprakisht që vrasja e Liridona Ademajt të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshjen që Murseli t’ia paguajë atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani për vrasjen e Liridona Ademajt fillimisht i është shpalosur Kokallës, i cili më pas e ka gjetur Plavën dhe e ka njoftuar atë me Murselin.

E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.

Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen./Koha.net

Postime të lidhura