zoom

Ekonomi

PROFIL/ Kastrati, kompania me 75% të fitimeve nga shteti

Kastrati Group u rendit edhe këtë vit ndër kompanitë me fitimet më të mëdha në Shqipëri.

Revista Monitor, që publikoi listën e 200 kompanive me fitimet më të larta për vitin 2023, raporton se qarkullimi vjetor i grupit ishte 121 miliardë lekë në 2023, ndërsa fitimet arritën në 8.1 miliardë lekë, thuajse dyfishin e vitit 2022.

Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend. Por fitimet ai nuk i ka nga kjo tregti. Ai ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit te automjeteve apo në fushën e ndërtimit. Por sërish nuk janë këto kompani ato që vendosin “Kastrati Group” në majën e kompanive më fitimet më të mëdha.

“Qarkullimi vjetor i grupit ishte 121 miliarde lekë në 2023, me tkurrje prej 16% me bazë vjetore, e ndikuar nga rënia e aktivitetit të tregtimit të naftes, si rrjedhojë e rënies së çmimeve. Fitimet e kompanisë u permirësuan ndjeshëm në raport me 2022, kur tregtimi i karburanteve, që është baza e aktivitetit të grupit, rezultoi me humbje, si rjedhojë e çmimeve të larta dhe fiksimit të perkohshëm të tavanit me të cilin u tregua karburanti ne shumicë dhe pakicë” – shkruan Monitor.

Burimi i fitimeve të majme është Aeroporti i Tiranës – Tirana International Airport (TIA), të cilin e ka me koncesion prej 3 vitesh, me një kontratë 20 -vjeçare.

Renditja sipas Monitor

TIRANA INTERNATIONAL AEROPORT

“Tirana International Airport (TIA) mbetet investimi me firimprurës i “Kastrati Group”, që solli giysmën e fitimeve te grupit në 2023, teksa u nda dhe një dividend prej 3 miliardë lekësh, sipas depozitimit në QKB. TIA, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, eshtë për të tretin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, pasi kishte dalë në vitin e pandemisë” – raporton revista Monitor.

Në vitin 2023, fitimet e koncesionit të Aeroportit të Rinasit u rritën me 15%, ose në 4.2 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të mirë historik. Të ardhurat ishin 10 miliardë lekë, me zgjerim prej 22 %.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2023, kishte rreth 7.3 milionë hyrje-dalje permes ajrit, me rritje 44 % krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rekord historik, pas zgjerimit prej 75% vitin e mëparshëm.

FITIMET E KOMPANIVE TË TJERA

Teksa kompania e koncesionit të Aeroportit të Rinasit u rendit e nënta për fitimin më të lartë ndër 200 komanitë më të mëdha në vend, “Kastrati Group” renditet në vendin e 24 -t, me një fitim prej 1.3 miliardë lekësh, në krahasim me 4.1 miliardë që regjistroi koncesioni i Aeroportit.

“ALBANIAN AVIATION MANAGEMENT”, një tjetër kompani e lidhur me koncesionin e Aeroportit të Rinasit, renditet në vendin e 52-të, por është e treta për nga fitimet që i sjell Grupit Kastrati. Fitimet e saj ishin në vlerën e 707 milionë lekë, me një rritje prej 182.7 % më shumë se në vitin 2022.

PORTI MBM, shoqëria tjetër koncesionare e portit të Porto Romanos – ku Kastrati është aksioner, u rendit në vendin e 60, me një fitim prej 630 milionë lekësh para taksave.

KASTRATI SHPK, që merret me tregtinë me pakicë të karburanteve, renditet në vendin e 82-të, me një fitim prej 495 milionë lekësh.

ALBANIAN HIGHWAY CONCESSION, kompania e Grupit Kastrati që menaxhon me koncesion Rrugën e Kombit, renditet në vendin e 165-të, me një fitim prej 214 milionë lekësh.

KASTRATI, 75 % TE FITIMEVE NGA SHTETI

Siç rezulton vetëm nga këto kompani, nga 8.1 miliardë lekë që rezulton fitimi i “Kastrati Group”, 4.2 miliardë janë nga koncesioni i Aeroportit të Tiranës, 707 milionë nga kompania “Albanian Aviation Management” që i merr paratë nga shërbimet që kryen për koncesionin e Aerportit të Tiranës, 630 milionë nga konvesioni i Portit të Porto Romanos dhe 214 milionë nga koncesioni i Rrugës së Kombit. Në total, koncesionet apo kontratat qeveritare i kanë dhënë Grupit Kastrati 5.7 miliardë lekë, ose 75 % të fitimit. Nga bizneset e tjera që nuk i ka të lidhura me shtetit, Kastrati ka fituar vetëm 2.4 miliardë lekë.

LEXONI EDHE: Denoncimi i Shehajt: Aeroporti i Tiranës, monopol! Të kishin shqiptarët mundësitë e Kastratit

KONCESIONI KONTROVERS I AEROPORTIT TË TIRANËS

Kastrati Group e ka marrë Aeroportin e Tiranës me koncesion për 20 vjet.
“Transaksioni u finalizua në dhjetor të vitit 2020, kur “Kastrati Group” i bleu aksionet nga
“Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të sherbimeve financiare “China Everbright”, për 71 milionë euro, vlerë që tashmë është rikuperuar si rrjedhoje e fitimeve të larta” – shkruan Monitor.

Kur e mori nga kinezët, koncesioni kishte edhe 7 vjet afat. Por duke premtuar të realizonte 100 milionë euro investime, Kastrati Group kërkoi që koncesioni të zgjatej për 13 vjet të tjera. Kjo kohë, sipas argumentimit të dhënë në kërkesën për zgjatjen e afatit, do të shërbente për të realizuar investimin dhe për të marrë fitimin mbrapsht.

Por siç rezulton nga të dhënat e QKB, kompania e ka shlyer koston e blerjes vetëm në 3 vite dhe po ashtu edhe vlerën e investimit, ndërsa investimi nuk është përmbyllur ende. Koncesionari duhet të ndërtonte një terminal të ri, por deri tani ka ndarë terminalin e vjetër. Ai duhet të zgjaste pistën, por nuk e ka realizuar atë ende.

Dyshimet janë se zgjatja e kontratës me 20 vjet ka qenë e pajustifikuar dhe është bërë për interesa të koncesionarit dhe jo të shtetit. /Zoom.al