zoom

In Zoom

Problemet me Wizz Air, reagon Autoriteti i Aviacionit Civil: T’i zgjidhin qytetarët me kompaninë

Shqiptarët do të duhen të përballen vetë me problemet që u shkakton kompania Wizz Air, si vonesat, anulimet e papritura të fluturimeve apo ndërrimin e destinacioneve gjatë fluturimit, për shkaqe të ndryshme, pasi institucionet shtetërore heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre për të mbrojtur qytetarët.

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka reaguar për problematikat e Wizz Air, pas një kërkese të Zoom.al, duke sqaruar se nuk është në kompetencat e tij që të ndërhyjë dhe të marra masa ndaj kompanisë.

Në një përgjigje evazive të pyetjes së Zoom.al nëse janë marrë masa ndaj Wizz Air, AAC, një rregullator në vartësi direkte të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, thotë ligji nuk e ngarkon atë me një përgjegjësi të tillë.

“AAC vepron në bazë të ligjit dhe ndjek të njëjtën linjë përgjegjësie me të gjithë operatorët ajrorë që kryejnë fluturime nga dhe në drejtim të aeroporteve të vendosura në Republikën e Shqipërisë. AAC nuk bënë ndonjë përjashtim në mbajtjen e kësaj linje përgjegjesie as për Wizz Air apo për ndonjë tjetër kompani. Në rastet e cënimit të të drejtave të pasagjerëve, AAC-ja vepron në përputhje me parashikimet e Kodit Ajror dhe udhëzimin për kompensimin dhe asistencën e pasagjerëve”, thuhet në përgjigjen e AAC.

Por si vepron AAC kur shkelen të drejtat e pasagjerëve? Në përgjigje të kësaj pyetje, Autoriteti i Aviacionit Civil pranon se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj Wizz Air dhe ua lë përgjegjësinë qytetarëve që t’i zgjidhin vetë problemet me kompaninë hungareze që vepron në Shqipëri.

“Në transportin ajror ndërkombëtar palët janë gjithmonë dy, kompania ajrore dhe pasagjeri pas blerjes së biletës së udhëtimit/ fluturimit. Ato hyjnë në një marrëdhënie kontraktore që si e tillë ajo mbetet një marrëdhënie detyrimesh civile me kushte të njohura dhe të pranura prej tyre, duke përfshirë dhe rastet e anulimit, të vonesës apo të refuzimit, mospranimit në bordin e avionit”, tha AAC për Zoom.al.

I vetmi hap që rregullatori ka marrë është ngritja e disa stendave në Aeroportin e Rinasit, për të ndihmuar qytetarët që të plotësojnë formularët e ankimimit.

“Në aeroport ka gjithashtu stenda të vendosura mbi mënyrën e plotësimit të ankimit, broshura, fletpalosje, informacione, formularë të printuar në mënyrë që pasagjerët të njohin të drejtat e tyre ndaj Kompanive Ajrore në rastet e vonesave të gjata dhe anulimeve, ku ndërkohë stafi i SDP udhëzon pasagjerët që janë të interesuar mbi procesin e ankimimit”, thotë AAC.

Por a mundet të ndërhyjë Autoriteti i Aviacionit Civil në këtë situatë? Zoom.al ka botuar më parë një reagim të Autoritetit Civil të Britanisë së Madhe (lexo KETU shkrimin e plotë ).

Autoriteti i Aviacionit Civil në Angli: Wizz Air, linja më e keqe. Sjellja e saj, e papranueshme!

Ndryshe nga rregullatori ë Shqipëri, AAC në Mbretërinë e Bashkuar pati një reagim të fortë kundër problematikave që Wizz Air u ka shkaktuar qytetarëve britanikë. Autoriteti i Aviacionit Civil atje ia ka shprehur drejpërdrejtë kompanisë Wizz Air shqetësimet, duke deklaruar publikisht se sjellja e saj është e papranueshme.

“Ne ia kemi bërë të qartë Wizz Air se sjellja e saj është e papranueshme dhe se presim që ankesat dhe pretendimet e vonuara të zgjidhen. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën. Aty ku kemi prova që një linjë ajrore po i lëshon pasagjerët, ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime të mëtejshme aty ku kërkohet”, deklaroi Anna Bowles, Shefe e Politikës dhe Zbatimit të Konsumatorit në Autoritetin e Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar.

Autoriteti i Aviacionit Civil në Angli: Wizz Air, linja më e keqe. Sjellja e saj, e papranueshme!

Ky reagim i autoriteteve britanike erdhi pasi të dhënat tregonin që Wizz Air renditet si linja ajrore më e keqe për ankesat e përshkallëzuara.

Por në Shqipëri, Autoriteti i Aviacionit Civil, siç rezulton nga përgjigjet e pyetjeve të Zoom.al, jo vetëm nuk e ka kontaktuar kompaninë për t’i paraqitur shqetësimet në lidhje problemet që ajo po u shkakton pasagjerëve, por heq dorë nga çdo përgjegjësi, duke ua ngarkuar atë vetë qytetarëve. Wizz Air erdhi në Shqipëri me një marrëveshje të vitit 2017. Por fluturimet e saj u zgjeruan me një tjetër marrëveshje që kompania hungareze “low cost” nënshkroi 2 vjet më parë me “Kastrati Grup”, pronarët e rinj të koncesionarit të Aeroportit të Rinasit. /Zoom.al