Aplikacion
Komuniteti i biznesit ndërkombëtar në Shqipëri ka shprehur shqetësim të fortë për funksionimin e infrastrukturës digjitale shtetërore, duke paralajmëruar se problematikat e vazhdueshme në platformat qeveritare online po krijojnë pasoja serioze ekonomike dhe rreziqe për sigurinë e të dhënave.
Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) deklaron se shërbimet elektronike të administruara nga strukturat shtetërore të teknologjisë së informacionit, përfshirë portalin e-Albania, po shfaqin paqëndrueshmëri të përsëritur, ndërprerje dhe performancë të paparashikueshme. Sipas saj, kjo situatë po pengon drejtpërdrejt kompanitë dhe qytetarët në kryerjen e procedurave ligjore dhe administrative.
Sipas reagimeve të mbledhura nga anëtarët e saj, AmCham thekson se ndërprerjet e shërbimeve digjitale po e bëjnë të vështirë për bizneset të përmbushin detyrimet rregullatore, të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar dhe të ndjekin proceset e përditshme operacionale. Vonesat, aksesi i kufizuar gjatë orareve me ngarkesë dhe mosfunksionimi i herëpashershëm i sistemeve po krijojnë, sipas Dhomës, pengesa reale në vijimësinë e aktivitetit ekonomik.
Reagimi i plotë:
Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) vlerëson përpjekjet dhe investimet publike të Qeverisë së Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike, përfshirë zhvillimin e platformës e-Albania, si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, duke qenë se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive, mungesa e auditimit, sigurisë dhe përditësimit të vazhdueshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare.
AmCham shpreh shqetësim të veçantë në lidhje me reagimet e vazhdueshme të marra nga anëtarët e saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me AKSHI-n. Sipas raportimeve të anëtarëve, disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve. Këto shqetësime përfshijnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme të sistemit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ndërprerjen e aktivitetit normal të bizneseve.
Ndërprerje të tilla kanë një ndikim të prekshëm dhe të menjëhershëm negativ në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme. Ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm për AmCham, pasi Dhoma përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish anëtare që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të. Shumë prej këtyre kompanive janë të certifikuara ndërkombëtarisht, zbatojnë standarde të larta sigurie dhe rregullatore, dhe disa prej tyre janë të verifikuara plotësisht dhe të autorizuara për të ofruar shërbime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pavarësisht kësaj eksperience të fortë vendase dhe ndërkombëtare, anëtarët e AmCham raportojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur edhe me proceset e prokurimit publik në sektorin TIK. Këto shqetësime cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur njëkohësisht rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave tepër sensitive.
Këto të dhëna përfshijnë informacion që lidhet me institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Në krahasim, në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara, kompanitë e përfshira në sistemet TIK qeveritare dhe sistemet sensitive i nënshtrohen proceseve strikte të verifikimit, kërkesave për autorizim sigurie dhe kontrolleve financiare, përfshirë edhe kufizime mbi marzhet e fitimit, me qëllim garantimin e transparencës, eficiencës dhe mbrojtjes së fondeve të taksapaguesve.
Për këtë arsye, AmCham i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe prokurimet.
Në zgjidhjet afat shkurtra, AmCham propozon ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme si më poshtë:
AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë duke ofruar ekspertizë teknike dhe duke ndarë praktikat më të mira ndërkombëtare, veçanërisht ato të zbatuara në Shtetet e Bashkuara, me qëllim forcimin e qeverisjes, minimizimin e rreziqeve të korrupsionit, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe rritjen e sigurisë kombëtare dhe ekonomike./ Zoom.al