zoom

Aktualitet

Porti i Kastratit në Porto Romano po shkatërron momentet kulturore, arkeologu: Të dalë në gjyq!

Zhvillimet e reja në qytetin e Durrësit, përveç se po shkatërrojnë vijën bregdetare dhe ekosistemin lokal, po prekin edhe monumentet kulturore.

Në një raport të fundit nga Europa Nostra, “Muret e Portës” në Porto Romano të Durrësit është një nga 11 monumentet e rrezikuara të konitnentit dhe kërcënimi është një shoqëri koncesionare.

Kastrati Group pronare e shoqërisë Porti MBM, që prej 10 vitesh ka zaptuar këtë port, mori në 2020-n një leje për të zgjeruar aktivitetin e saj. Fillimisht Kastrati e përdori portin për trafikun e hidrokarbureve, por më pas shtoi edhe mallrat, që rrjedhimisht kërkonte dhe zgjerim fizik, duke prekur “Muret e Portës”.

Në një intervistë për mediat, arkeologu Apollon Baçe tregoi tragjedinë që po ndodh me këtë monument, duke thënë se nga 180 m që ishte muri, kanë mbetur në këmbë vetëm rreth 40 metra.

“Muret e Portës” që ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në Porto Romano, fare pranë portit të karburanteve që në krye të herës u ndërtua për të mbrojtur qytetin prej një sulmi të mundshëm nga veriu, duke shfrytëzuar afërsinë e detit me kënetën, po degradon çdo ditë.

Sipas tij për shkatërrimin e tij nuk janë zbatuar ligjet për mbrojtjen e monumenteve historike.

“Është ngrënë 120 metra mur nga firma kur në fakt mund të ishte një aset shumë i bukur për portin. Që në vitin 2021 filluan punimet në Porto Romano. U bënë të gjitha denoncimet e mundshme në polici, por në gjykatë e ministri nuk çau kokën absolutisht asnjëri. Ky është një nga rastet më të shëmtuara që ekzistojnë. Është një nga monumentet që në 1948 dëften sa ka qenë toka bujqësore, është një nga 6 muret barrierë në të gjithë botën pra ne kemi zhdukur diçka që i takonte të gjithë njerëzimit dhe jo vetëm neve”, shprehet arkeologu.

Ai shton se duke qenë se është shpallur monument i kategorisë I, atëherë çdo lloj ndërhyrje është në kundërshtim me ligjin, edhe pse institucionet përgjegjëse bënë një sy qorr ndaj rrezikut që i kanosej atij.

“Nëpërmjet punimeve me makineri të rënda (ekskavator, buldozer, kamione tonazhi të rëndë) u shkatërruan nën nivelin e rrafshit të tokës 78 metrat perëndimore të murit mbrojtës, nga kulla kuadratike e deri në det. Paksa më tepër se gjysma e gjatësisë së tyre (140 m).  Është dëmtuar ndjeshëm gjysma lindore, duke ia zhdukur gjurmët elementit kryesor të fortifikimit, Portës së Hyrjes dhe harqeve të saj. Janë zhdukur plotësisht gjurmët e akropolit dhe murit që kthehej drejt tij. Faqja jugore paraqitet e mbuluar mbi nivelin e themelit. Është shkatërruar shtresa kulturale. Tërë këto veprime janë në kundërshtim të hapur penal me ligjin”, vijon më tej akademiku Apollon Baçe.

Për arkeologun, monumenti është aq me rëndësi sa që Kastrati duhet të dalë në gjyq, pasi ka shkelur ligjin./Zoom.al