zoom

Aktualitet

E rëndë në Dropull, gjendet i vrarë çifti i të moshuarve. Policia: U goditën për vdekje, dyshime…

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur sot në zonën e Dropullit në Gjirokastër.

Një çift të moshuarish, 84 dhe 88 vjeç, u gjet i pajetë nga banorët, teksa paraprakisht dyshohet dhe hetohet në dy pista; për një krim në familje apo person i njohur, e vrasje në sulm grabitës nga persona ende të paidentifikuar, edhe pse nuk u gjetën sende të lëvizura dhe rrëmujë në banesë apo dyer të shqyera.

Fillimisht u mendua për vdekje nga shkaqe natyrore, por viktimat kanë pasur shenja dhune në trup sipas policisë dhe këqyrjes paraprake në vendngjarje.

“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore”, tha policia në njoftimin paraprak.

Dhe më tej sqaroi se nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive. Duke lënë të kuptohet se autori apo autorët janë të njohur të viktimave, duke ngritur edhe pistën e mundshme të një krimi në familje.

Policia dyshon se personi që ka qenë i njohur i çiftit, mund të ketë hyrë miqësisht dhe në kërkimin e diçkaje me vlerë mund t’i ketë vrarë, ose nën pretendime pronësie apo trashëgimie.

“Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, shpjegoi policia vendore.

Teksa po hetohet për të zbuluar shkaqet, autorët dhe rrethanat. Mendohet se agresorët në përpjekje për grabitje apo sherr familjar, i kanë goditur për vdekje dhe janë larguar. Lajmi mbetet në përditësim. /ZOOM.AL/