Aplikacion
Policia e Shtetit ka reaguar pas alarmit që Sazan Guri ngriti më herët duke hedhur dyshime se avokati Altin Goxhaj mund të ishte rrëmbyer.
Në njoftim thuhet se Goxhaj është shoqëruar nga policia e shtetit në komisariatin nr.2 në Tiranë, në orët e mbrëmjes këtë të enjte.
Kjo për shkak të një përplasje verbale me punonjësit e uniformave blu dhe mosbindje.
“Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.
Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.
Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.”- thuhet në njoftim.