Aplikacion
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj publikimit të një videoje, e cila sipas tij, tenton të manipulojë opinionin publik duke shtrembëruar të vërtetën për një incident të ndodhur në Bulqizë.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Mziu akuzon policinë për përdorim politik dhe përpjekje për të fajësuar përfaqësuesit e PD-së, ndërsa sipas tij, pamjet tregojnë qartë dhunën e ushtruar nga babai i kandidatit të PS-së, Murat Dani.
“Videoja tregon dhunën barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit të PS, ushtron ndaj kryetarit të PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani. Dhe më pas, së bashku me zyrtarë të tjerë të PS-së, vijojnë ta dhunojnë pa mëshirë, duke mos kursyer as kreun e FRPD-së,” – shkruan Mziu.
Ai shton se në video nuk ndodhet vetë dhe se nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që, sipas tij, po fabrikohen për të nxjerrë PD-në fajtore.
“Kjo është një provë e pastër për SPAK-un! Në vend që të ndalojnë dhunuesit, përpiqen të më paraqesin mua si protagonist. Unë nuk jam aty! Dhunuesi është babai i kandidatit të PS-së dhe policia nuk pranon as denoncimin për ngjarjen!” – thekson ai.
Xhelal Mziu bën thirrje që mediat të mos bien pre e manipulimeve dhe kërkon nga SPAK të ndërhyjë menjëherë për të vënë përpara drejtësisë autorët e dhunës dhe ata që sipas tij po deformojnë faktet për përfitime politike.
“Qytetarëve të Bulqizës dhe gjithë Dibrës u them: Ne nuk trembemi! Këto manipulime nuk do të na ndalin drejt fitores më 11 maj!” – përfundon Mziu.
Rama “thumbon” protestuesit nga Porto Montenegro: Çuna, harrojeni të na kalojë topi