Aplikacion
Në një nga klubet e natës më të njohura të Jugut, nata e të premtes u kthye në tmerr për qindra pushues që kishin zgjedhur këtë lokal për t’u argëtuar.
Një konflikt mes disa personash me precedent penalë në zonën VIP degjeneroi në dhunë fizike. Sipas disa dëshmitarëve, në këtë përplasje pati edhe përdorim armësh.
Pamjet e sherrit bënë xhiron e internetit me shpejtësi: gota që thyhen, njerëz që përplasen e rrëzohen, britma, panik, klientë që vrapojnë për të dalë jashtë.
Video dhe dëshmitarët e ndihmuan policinë të identifikonte autorët pa vonesë. Por ajo që ndodhi pas identifikimit është më tronditëse se pamjet e sherrit.
Policia tha se një person u plagos lehtë, por “nuk kishte lidhje me ngjarjen” dhe se procedoi penalisht dy persona, Fatjon Përshpalaj 34 vjeç dhe Xhulio Sorra 31 vjeç për veprën penale “prishje e qetësisë publike”. Pas kësaj i la të dy të lirë. Kaq.
Gjithë ai sherr, që e pa gjithë bota, që vuri në rrezik pushues të shumtë e dëmtoi një biznes privat në kulmin e sezonit, u mbyll.
Me shkresat e procedimit në gjendje të lirë, nesër prokurori me shumë gjasë do ta marrë dosjen dhe do ta arkivojë.
Dhe pasnesër këta persona me shumë gjasë do jenë në një tjetër klub nate e për më tepër do të kenë garancinë e policisë së Ilir Prodës se nuk do t’u ndodhë asgjë edhe nëse nisin të rrihen sërish me njëri – tjetrin apo me të tjerë.
Nëse inati për sherrin te Lolipop do të vazhdojë, konflikti mes tyre mund të prodhojë edhe fatkeqësi, siç ka ndodhur në raste të shumta.
Me këtë rast policia dëshmoi se dhuna nuk ndëshkohet dhe se mund të jetosh i lirë edhe nëse dhunon të tjerët në mes të një lokali nate. Dhe kur dhuna nuk ndëshkohet ajo përhapet më shumë dhe bëhet me e rrezikshme, duke prodhuar edhe viktima.
Sherri i madh mes këtyre dy personave është një paralajmërim për këdo që jeton në këtë vend, se as policia e as drejtësia nuk mund të funksionojnë kur në krye kanë njerëz të dyshuar për lidhje të forta me krimin dhe kur radhët e policisë po inkriminohen çdo ditë e më shumë nëpërmjet rryshfetit e korrupsionit.
Sot policia e Ilir Prodës e rreshtoi shtetin në anën e njerëzve të dhunshëm, ndërsa drejtësia e re mbylli sytë për të mos e parë atë që panë të gjithë duke i dhënë një tjetër goditje besimit të qytetarëve në këto institucione. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari