zoom

Ide & Blog

Po të ra, bjeri

Nëse fëmija rritet në një mjedis ku dhuna shihet si mjet për të zgjidhur konfliktet dhe për të mbrojtur veten, ngjarjet tragjike janë vetëm çështje kohe.

Nëse mbjell erë, do të korrësh furtunë.

Kur fëmija kthehet nga shkolla dhe thotë se është ngacmuar, përgjigjja më e zakonshme që merr nga prindërit është: “po ti duart vetëm për bukë i ke?”
“Po të ra, bjeri.”

Kjo qasje, “bjeri t’i biem”, është fitili dinamit që po shperthen çdo ditë.

Dhuna për të cilën vajtojme dhe protestojmë sot është një reflektim i mënyrës si rritemi dhe si shoqëria modelon sjelljen tonë.

Nëse fëmijët mësohen që “t’i dalin vetes për zot, përparesi merr forca, jo zgjidhja e sherrit.

Rrënimi i Autoritetit
Sot roli i prindërve dhe mësuesve si modele sjelljeje është minuar dhe fëmijët ndikohen gjithnje e me shumë nga të “tjerët”. Autoriteti i prindërve dhe i mësuesve është zëvendësuar nga ndikimi i shokëve, rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale.

Trekëndëshi i dikurshëm familje-shkollë-shoqëri ka rënë. Sot kemi një katërkëndësh të ri, ku rrjetet sociale kanë marrë “pjesën e luanit”.

Dhuna nuk është vetëm një fenomen brenda familjes apo shkolles; ajo reflektohet në gjithë shoqërinë. Nga gjuha e ashpër në Parlament, te sulmet personale në media dhe deri te komunikimi pa dogane në rrjetet e sociale, fëmijët përballen me modele që himnizojnë sherrin/konfliktin.

Kur një fëmijë sheh prindërit të sherrosen në familje, dhe rritet në një ambient ku politikanët ulërijnë në Kuvend, ku udhëheqësit ftojne në zyre dhe promovojne “artiste” që në videoklipe promovojne dhunë, drogen, krim; ku idiotet dhe të dalet mendsh mbushin ore televizive, ku rrjetet sociale sa vjen dhe i ngjajne kolektoreve, I mituri bindet se dhuna është mjeti me efikas për t’ia dal mbanë në xhunglën reale/digjitale.

Nëse sot në çerdhe, kopshte e shkolla nuk flasim për fuqinë e mendjes dhe të fjalës mbi forcën fizike, nuk duhet të habitemi kur fëmijët bëhen kriminele.

Nëse nuk mesojme të zgjidhim problemet me fjale dhe mirëkuptim tragjedia e radhës është te pragu i derës.

Shumëçka do të ishte ndryshe nëse permiresojme komunikimin dhe mesojme se si të dëgjojmë, mesojme se si të dëgjojmë për të kuptuar dhe jo për të dhënë përgjigje.

Vënia fre e gjuhës së urrejtjes në hapësirat publike, përfshirë mediat dhe rrjetet sociale mund të ishte një “eksperiment”që ja vlen të provohet. Ulja e temperatures se komunikimit do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi ku te mësohemi të respektojnë njëri-tjetrin dhe të kërkojme zgjidhje pa ulëritur.

Nëse duam një vend pa lajme ku në titujt e kronikës se zezë të jenë fëmijët, duhet të nisim edukimin me idenë se forca nuk matet me grushta, por me mendim, ndjeshmëri dhe respekt.

Nëse dikush ka lënduar fëmijën, zgjidhja nuk duhet kërkuar te përgjigjia “dhëmb për dhëmb”…sepse nëse nisesh për hakmarrje, duhet të jesh gati të hapesh dy varre!/ Lutfi Dervishi