Aplikacion
Një bazë ku dyshohet se ruheshin armë zjarri dhe municion luftarak, që mund të përdoreshin për furnizimin e grupeve kriminale, është zbuluar në Manzë të Durrësit. Në pranga ka përfunduar një 20-vjeçar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan katër armë zjarri pistoletë, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular.
I riu u arrestua në flagrancë, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.