zoom

Slider

Pesë mite për marrëdhënien e grave me paratë që duhen rrëzuar

Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, zonja.

Megjithatë, burrat kontrollojnë në masë të madhe Wall Street-in dhe firmat financiare që mbajnë dhe investojnë paratë tona.

Ata ende, mesatarisht, paguhen më shumë se gratë që bëjnë të njëjtën punë.

Edhe kur shihni një reklamë për këshillimin financiar, shpesh është një burrë që jep këshilla.

Meqenëse gratë në përgjithësi jetojnë më shumë se burrat, një pjesë e madhe e pasurisë pritet t’u transferohet atyre, sipas një raporti të vitit 2020 nga McKinsey

Megjithatë, keqkuptimet vazhdojnë ende për aftësinë financiare të grave, pavarësisht nga numri në rritje i tyre që menaxhojnë paratë në familjet e tyre sepse janë beqare, të divorcuara ose të veja.

Ndaj dhe, po ju përshkruaj më poshtë pesë mite të njohura prej kohësh për gratë dhe paratë.

Miti 1: Gratë kanë më shumë gjasa të shpenzojnë më shumë

Kur do të vdesë stereotipi i gruas qw kanw varësi nga blerja e këpucëve?

Shpenzimet janë të ndryshme, natyrisht, por gratë nuk kanë më shumë gjasa të shpenzojnë më shumë.

Një analizë e të dhënave federale të LendingTree zbuloi se burrat beqarë shpenzonin më shumë se gratë beqare

Burrat shpenzonin më shumë për ushqim

Burrat shpenzonin më shumë se gratë edhe për të blerë alkool

Ok, zonjat psh shpenzonin më shumë për veshje, por burrat shpenzonin  më shumë për argëtime “të tjera”, që përfshin pajisje për ushtrime fizike apo këpucë atletike.

Miti 2: Gratë janë më të këqija në negocimin e rrogës së tyre

Burrat e punësuar fitojnë më shumë se homologet e tyre femra në çdo nivel pagash, megjithëse hendeku i pagave zgjerohet në skajet më të larta të spektrit.

Njerëzit shpesh ia atribuojnë hendekun e pagave, pjesërisht, paaftësisë së grave për të negociuar një pagë më të lartë. Por të druhesh për të kërkuar para nuk është vetëm diçka gruaje.

Kur u pyetën për punësimin e tyre më të fundit, “Shumica e punëtorëve amerikanë që nuk janë të vetëpunësuar thonë se nuk kërkuan pagë më të lartë se ajo që u ofrua fillimisht”, sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew.

Në fakt, 60 përqind e punëtorëve i qëndruan ofertës së parë, zbuloi Pew

Mes atyre që kërkuan paga më të larta, burrat ishin pak më të prirur – 32 përqind krahasuar me 28 përqind.

Rezultate të ngjashme u gjetën kur studiuesit në Universitetin e Kalifornisë Jugore përdorën një agjent virtual për të testuar se si pjesëmarrësit negociuan për një pozicion inxhinierik softuerësh.

Rezulton se, pavarësisht nga gjinia, 43 për qind e pjesëmarrësve morën atë që u ofrua.

“Njerëzit nuk janë të mirë për të negociuar në përgjithësi,” tha një nga studiuesit në raportimin mbi rezultatet e studimit

Miti 3: Gratë nuk janë investitore aq të mira sa burrat

Investimi ka të bëjë me rrezikun. Dhe ndërsa është e vërtetë që gratë priren të jenë më dyshuese dhe të kursyera ndaj rrezikut sesa burrat kur investojnë, kjo funksionon në favor të tyre.

Këtë sektor e  udhëheqin burrat – megjithëse me një diferencë të vogël – kur bëhet fjalë për kthimet e investimeve, sipas një raporti të Investimeve Fidelity 2021.

Një analizë e më shumë se 5 milionë llogarive të Fidelity Investments nga viti 2011 deri në 2020 zbuloi, mesatarisht, se gratë ia kalonin homologëve të tyre meshkuj me 0.4 për qind.

Miti 4: Gratë janë më të frikësuara për bursën sesa burrat

Më shumë se gjysma e grave (51 përqind) që investojnë në aksione thonë se zakonisht qëndrojnë në kurs kur tregu përjeton një rënie, krahasuar me 43 përqind të burrave, sipas Fidelity.

Studimi Fidelity zbuloi se 67 për qind e grave tani po investojnë jashtë llogarive të tyre të pensionit. Kjo është një rritje e konsiderueshme nga 44 për qind e regjistruar në 2018

Miti 5: Gratë janë shumë emocionale për të qenë menaxhere të mira parash

Më shumë se gjysma e të rriturve amerikanë – 52 për qind – thonë se stresohen për paratë, humbin gjumin ose janë në depresion për shkak të shqetësimeve financiare, sipas një sondazhi të vitit 2023 nga Bankrate.com. Ka kuptim që njerëzit të stresohen për paratë sidomos pas pandemisë dhe pasi inflacioni arriti më lart se asnjëherë ku u rritën gjithashtu normat e interesit për hipotekat, kreditë e makinave dhe kartat e kreditit.

Gratë shqetësoheshin më shumë se burrat, zbuloi Bankrate. Dyzet e gjashtë përqind e grave thanë se shqetësimet financiare kishin një ndikim negativ në shëndetin e tyre mendor, krahasuar me 38 përqind të burrave.

Një studim i Fidelity zbuloi se ndërsa stresi është emocioni kryesor që gratë përcjellin për paratë, gati 90 për qind e tyre po ndërmarrin hapa për të kontrolluar financat e tyre. Që do të thotë ato po rregullojnë zakonet e tyre të shpenzimeve, po kursejnë më shumë dhe po përmirësojnë pasojat e kartës së kreditit.

Dhe kur nuk dinë më se çfarë të bëjnë, gratë kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë.

Fidelity ka parë një rritje prej 19 përqind të grave që kërkojnë udhëzime financiare që nga viti 2019, krahasuar me një rritje prej 16 përqind te burrat.