zoom

Aktualitet

Pesë kompani kërkojnë pezullimin e koncesionit të pompave nga shoqëria NOA

Skandali i pompave të Pikave të Karburanteve duke krijuar monopol në tregun e hidrokarbureve, ka sjellë një tjetër reagim nga ana e disa kompanive që ofrojnë shërbime të ngjashme për “inspektimi” dhe “çertifikim teknik”.

Në letrën drejtuar disa prej institucioneve shtetërore të cilat kanë dhënë ok për monopolizimin e këtij shërbimi, këto kompani kërkojnë “revokim të menjëhershëm të akteve të miratimit për shoqërinë NOA Control”.

Sipas përfaqësuesve juridikë të kompanive që kanë nënshkruar këtë letër kërkohet “ndalimi dhe eliminimi i abuzimit me pozitën dominuese në treg të kompanisë NOA Control e cila ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare me qëllim “verifikimin periodik të pompave të karburantit dhe të gazit në Shqipëri.

Këto kompani të njëjtën kërkesë ja kanë adresuar edhe Strukturës Përgjegjëse kundër Korupsionit (SPAK) ku kërkohet menjeherë marrja e masave për:

  1. Pezullimin e Lëshimit e Vërtetimeve Teknike
  2. Kryerjen e Inspektimeve në Rezervuarët e Gazit të Lëngshëm dhe Karburanteve
  3. Certifikimin e personave që punojnë me paisje presioni në pikat e karburanteve.

Pra, vërehet qartë se shoqëria NOA Control  ka shkelur në mënyrë flagrante Ligjin 9121/2003 i cili parashtron “Për mbrojtjen e konkurencës”, sipas dispozitave të mëposhtëme:

“Abuzim me pozitën dominuese në treg”, pika 1 dhe 2:1. Ndalohet çdo abuzim me pozitën dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje, që e zotërojnë këtë pozitë ne treg.

Mund të përbëjnë abuzim me pozitën dominuese veçanërisht:

  1. b) kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;

Zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurence.

ç) Vendosja e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, te cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

“Nuk do të donim të perfshiheshim ne diskutimin se si iu dha koncesioni një shoqërie që ofronte një sërë shërbimesh të tjera në të njëjtin sektor, sepse tashmë ky është një fakt i kryer. Ajo që praktikisht po na cënon te gjithëve, ka të beje me faktin se tashmë jemi në kushtet e dëmtimit të konkurencës së lirë në ofrimin e shërbimeve të tjera inspektuese dhe certifikuese në sektorin e karburanteve për të cilat janë miratuar disa Organe te Miratuara (OM).

Është lehtësisht e dukshme, që NOA Control falë pozitës dominuese me 2 shërbimet e sipërpërmendura (ku do të mjaftonte edhe një shërbim monopol i vetëm), i është lënë gjithë hapësira e mundshme për të shfrytezuar apo abuzuar me pozitën dominuese me shërbimet monopol në sektorin e karburanteve, duke iu imponuar direkt apo indirekt subjekteve të tregtimit të karburanteve edhe në kryerjen e shërbimeve te tjera si paketë, përfshirë ato të inspektimit të depozitës së GLN, lëshimit të Vërtetimit Teknik dhe certifikimit të punonjësve që perdorin pajisje nen presion”, pjesë nga letra drejtuar institucioneve shqiptare të përfshira në këtë skandal të madh që provokon direkt ngritjen e cmimit të karburanteve për shqiptarët./NewsBomb.al