zoom

Bota

Pesë gazetarë të Al Jazeera-s vriten nga një sulm izraelit

Pesë gazetarë të Al Jazeera-s vriten nga një sulm izraelit

Pesë gazetarë të rrjetit Al Jazeera janë vrarë të dielën nga një sulm ajror izraelit pranë portës kryesore të Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, ka bërë të ditur televizioni.

Mes viktimave janë korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, si dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa. Ata ndodheshin në një tendë për gazetarët kur u goditën.

Al Jazeera e cilësoi ngjarjen si një “atentat të qëllimshëm” dhe “një tjetër sulm flagrant ndaj lirisë së shtypit”. Pak pas sulmit, ushtria izraelite (IDF) pranoi se kishte shënjestruar al-Sharif, duke e akuzuar se drejtonte një qelizë të Hamasit. Nuk u përmendën emrat e gazetarëve të tjerë të vrarë.

Në total, shtatë persona humbën jetën nga goditja, ndërsa fillimisht televizioni raportoi për katër anëtarë të stafit të vrarë, shifër që më vonë u korrigjua në pesë.

Redaktori i përgjithshëm i Al Jazeera-s, Mohamed Moawad, tha se al-Sharif ishte “i vetmi zë” që i tregonte botës zhvillimet nga brenda Gazës. “Ata u shënjestruan në tendën e tyre, jo në vijën e frontit”, u shpreh ai, duke akuzuar Izraelin se po përpiqet të heshtë raportimet nga territori.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), nga tetori i vitit 2023 deri më sot, në Gaza janë vrarë 186 gazetarë. Organizata ka kritikuar autoritetet izraelite për mungesë provash që mbështesin akuzat se reporterët e vrarë ishin pjesë e grupeve militante.

Al Jazeera ka kujtuar se nuk është hera e parë që gazetarë të saj shënjestrohen në Gaza. Në gusht të vitit të kaluar, Ismael Al-Ghoul dhe kameramani Rami al-Rifi u vranë nga një sulm ajror, ndërsa Izraeli i akuzoi për pjesëmarrje në sulmet e 7 tetorit, një pretendim që televizioni e hodhi poshtë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 61 mijë persona janë vrarë që nga nisja e ofensivës izraelite, e cila filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona në jug të Izraelit.

Postime të lidhura