zoom

In Zoom

Përse po nxiton Rama me shkarkimin e Metës?

Komisioni i Ligjeve do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e 46 deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e presidentit Meta.

Socialistët nuk pritën gjatë, por pa u certifikuar ende rezultati përfundimtar i zgjedhjeve njoftuan nisjen e procedurave.

Po përse ky nxitim?

Kryeministri Rama synon ta shkarkojë presidentin me parlamentin aktual. Ai tani mund të sigurojë lehtësisht shumicën e nevojshme prej 2/3 që kërkon kushtetuta, apo 94 deputetë.

Me parlamentin e ri, Rama do të ketë vetëm 77 deputetë, duke shtuar këtu edhe 3 deputetët e partisë së Tom Doshit.

Por kjo nuk është arsyeja e vetme.

Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” përcakton se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen 4 muaj nga mbarimi i mandatit të Kuvendit.

Kuvendit të tanishëm i mbaron mandati më 9 shtator 2021. Kështu që mazhoranca ka edhe 5 ditë afat për ta ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit.

Nëse komisioni nuk ngrihet brenda javës, Gjykata Kushtetuese, që do të shqyrtojë vendimin final të kuvendit do ta rrëzonte për procedurë kërkesën për shkarkimin e presidentit. /Zoom.al