zoom

Aktualitet

Përse nuk shemben apo sekuestrohen katet shtesë të Kastratit dhe Armand Lilos në mes të Tiranës?

Më 7 shtator, teksa prezantonte drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama do të bënte me turp ministrin e Brendshëm dhe gjithë drejtuesit e tjerë të policies, të cilët sipas tij kishin mbyllur sytë përpara kateve të tëra pa leje në disa nga kullat që po ngrihen në qendër të Tiranës.

“Është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës, sa dhe këtu ngjitur me Sheshin Skënderbej që vetëm nuk bërtet pallati, “shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër”, pa i hyrë gjemb në këmbë”, u shpreh Rama gjatë atij takimi duke paralajmëruar dhe nisjen e një aksioni për sekluestrimin dhe prishjen e kateve shtesë pa leje.

Një ditë më pas në mënyrë demonstrative zëvemdëskryeministrja Belinda Balluku, drejtorja e re e IKMT-së dhe drejtori i policisë së Tiranës do të mbërrinin në Farkë për të bërë një spektakël televiziv nga ato që vetëm kjo qeveri di t’i bëjë.

Balluku deklaroi se një palllat 9 kate i lartë ishte ndërtuar i gjithi pa leje. Ishte në pronësi të biznesmenit Lul Morina.

Një ditë më pas ishte ministri Brendshëm, Blendi Çuçi ai që do të shfaqej para një pallati tjetër në zonën e Farkës në pronësi të biznesmenit tjetër Pëllumb Salillari, i cili sipas tij kishte plotë 1200 metra katrorë ndërtim pa leje.

Por ai që nisi si një aksion me dorë të fortë kundër të kamurve, që nën pëlqimin e qeverisë kishin ndërtuar pa fund pa leje, do të harrohej.

Kur kanë kaluar gati dy javë nga deklaratat e kryeministrit, i gjithë aksioni i strukturave të shtetit u mjaftua vetëm me ato dy operacione në terren, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me ndërtimet e tjera pa leje që po i marrin frymën çdo ditë Tiranës dhe jo vetëm.

Zoom.al ka sjellë disa herë më parë rastin e “Eye of Tirana – Syri i Tiranës”, kulla e projektuar nga një studio daneze dhe që ndërtohet nga “Arlis Ndërtim”, me një sipërfaqe prej 55 mijë metra katrorë, të cilës I referohej edhe kryeministri Edi Rama në deklaratën e tij.

Kulla duhet të ishte me 26 kate, por po t’i numërosh katet sot, teksa objekti vijon të lartësohet, ato janë mbi 30.

“Lartohet përpara syve të të gjithëve një pallat pa leje dhe s’i hyn gjëmb në këmbë. Natyrisht ai pallat tani ose do shembet ose do konfiskohet”, deklaroi Rama.

Por askush nuk di të thotë sot nëse ndonjë nga strukturat shtetërore i ka shkuar për kontroll apo konfiskim të kateve pa leje të këtij objekti në pronësi të Armand Lilos, një mik i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish -ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Aty puna vazhdon normalisht dhe ndryshe nga sa dikton ligji, pronari i tij nuk është proceduar për ndërtim pa leje.

E njëjta gjë ndodh edhe me kullën më të lartë në Tiranë të quajtur “Downtown” që po ndërtohet nga “Kastrati Group”.

Ndonëse ka dalë nga projekti, strukturat shtetërore nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij. Deputeti i PD, Gazmend Bardhi akuzoi kryeministrin se me firmë të Belinda Ballukut dhe Arben Ahmetajt ka miratuar një VKM në kundështim me ligjin vetëm për t’ia legalizuar katet pa leje Kastratit. Nëse kjo është e vërtetë dhe Bardhi ka zbuluar skemën, atëherë aksioni i kryeministrit mund të jetë një tjetër skemë për legalizimin e këtyre kateve, siç thotë PD.

Pronarëve të pallateve që kanë ndërtuar kate pa leje, qeveria u ofroi me këtë aksion, mundësinë për të riblerë katet pa leje, në mënyrë që të amnistoheshin nga çdo akuzë penale.

Pra mjafton që ata të mund t’i paguajnë shtetit një shumë të caktuar lekësh dhe çdo shkelje që ata kanë bërë në ndërtimin e këtyre objekteve do të falet. Kjo ngre pikëpyetje të shumta lidhur me qëllimin ne këtij aksioni.

Po ashtu nuk dihet më asgjë se çfarë ndodhi me dy objektet në pronësi të Lul Morinës dhe Pëllumb Salillarit në Farkë, të cilat u thanë se u sekuestruan. Nëse janë sekuestruar, a do të shemben? Nëse do t’u jepen qytetarëve që janë prekur nga këto projekte, kush do ta përfundojë ndërtimin e tyre?

Pyetje këto që i shtojnë dyshimet se aksioni i Ramës nuk është kundër ndërtuesve, që rezultojnë klientë të qeverisë, por një ndihmë për ata. Sepse, asnjëri prej tyre as nuk do ta kishte çuar në mendje të ndërtonte pa leje, nëse s’do të kishte pasur garanci se nuk do të shkonte në burg. As nuk do të kishte hedhur qoftë një metër katror të vetëm beton, nëse nuk do të kishte pasur garanci se nuk do t’i shembet.

Kryeministri dha garanci se ai e kishte seriozisht. Shqiptarët presin të shohin katet pa leje të Arlis-it dhe Kastratit që të shemben, ose t’u jepen qytetarëve, për ta besuar. /Zoom.al