zoom

Aktualitet

Përplasje për lojëra fati! Çfarë fshihet pas vrasjes së Bledar Muçës

Ekzekutimi me automatik i Bledar Muçës në ambjentet e lokalit të tij në Lushnjë, mbrëmjen e 23 gushtit, duket se e ka bazën e konfliktit pikërisht mes rradhëve të një grupi kriminal që vepron në këtë qytet.

Hija e përplasjeve për lojërat e fatit, kryesisht kompjuterat, besohet se qëndron pas kësaj vrasje të mirëorganizuar që shkaktoi një të vrarë e 5 të plagosur, raporton Ora News.

Bizneset në hije

Informacionet jo zyrtare që dalin nga policia e Lushnjës, tregojnë se Bledar Muça, veç biznesit të ligjshëm si Bar-Kafe “Pedonale”, në Lushnjë dyshohet se administronte në hije dhe dy biznese të tjera.

Sipas burimeve të policisë, lokali ku ka ndodhur ngjarja kriminale, është në pronësi të bashkëshortes së viktimes, shtetases Suada Velo.

Në emër të kësaj të fundit janë dy biznese të tjera si Marin Company e themeluar në vitin 2018, që ka si objekt veprimtarinë në fushën e transferimit të parave. Dhe biznesi tjetër është një kompani kontabiliteti, e zotëruar plotësisht nga Suada Velo.

Sipas burimeve të policisë së Lushnjës kjo e fundit është mbesa e Roland Shytit, anëtarit të grupit kriminal “Hakmarja për drejtësi”, informon Ora News.

Madje disa prej anëtarëve të këtij grupi frekuentonin në mënyrë të vazhdueshme lokalin me emër “Pedonalja”, ku qëndronte dhe Bledar Muça.