zoom

Aktualitet

Përplasje me armë në Itali, banda italo-shqiptare plagos një polic

Përplasje me armë në Itali, banda italo-shqiptare plagos një polic

Një operacion policor në Itali është shoqëruar me përplasje të armatosur mes forcave të rendit dhe një grupi kriminal me përbërje të përzier, ku dyshohet se bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë.

Ngjarja u regjistrua në zonën e Modenës, ku autoritetet italiane po vijonin kontrollet në një pronë rurale në Vignola, e sekuestruar një ditë më parë në kuadër të një hetimi për një grabitje të mundshme ndaj dy mjeteve të blinduara. Sipas informacioneve, këto automjete pritej të sulmoheshin në autostradën A1 gjatë një lëvizjeje nga Bolonja drejt Paderno Dugnano.

Gjatë ndërhyrjes së sotme, situata ka degjeneruar në shkëmbim zjarri mes efektivëve dhe anëtarëve të grupit kriminal. Bëhet fjalë për një organizatë prej rreth 14 personash, me origjinë nga zona të ndryshme, përfshirë Foggia dhe Cerignola, ku deri tani është identifikuar të paktën një shtetas shqiptar.

Pas përplasjes, disa prej të dyshuarve kanë tentuar të arratisen nëpër zonat përreth, ndërsa gjatë kësaj kohe janë dëgjuar të shtëna arme. Si pasojë, një oficer i Shërbimit Qendror të Operacioneve ka mbetur i plagosur lehtë.

Zona ku ndodhej baza e grupit përdorej si një pikë logjistike e fshehur mes magazinave industriale dhe hapësirave rurale. Ajo shërbente për depozitimin e materialeve të ndryshme, automjeteve dhe mjeteve të tjera, ndërsa aktiviteti kryesor i bandës dyshohet të lidhet me trafikun e lëndëve narkotike.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej anëtarëve dhe për të çmontuar rrjetin kriminal./ Zoom.al

Postime të lidhura