zoom

Aktualitet

Përfituan miliona €, si plasi skandali për inceneratorët që ende “vjelin” nga paratë e shqiptarëve

Impiantet e djegies se mbetjeve (inceneratorët) u ndërtuan në një proces tërësisht korruptiv ku u përfshinë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë shqiptarë të qeverisë Rama, nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që ndodhet në arrati, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, të cilët ndodhen në qeli.

Skandali i inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit u ka kushtuar shqiptarëve deri më sot më shumë se 150 milionë euro.

Projektet e inceneratorëve do të mbahen mend për numrin e lartë të zyrtarëve publikë që shkuan para drejtësisë, por në të njëjtën kohë edhe si një precedent që, pavarësisht veprave penale që shkaktuan, u financuan nga buxheti i shtetit me taksat e shqiptarëve, në injorim të plotë të moralit qeverisës dhe ligjeve të shtetit.

Që nga fillimi i projekteve, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë (103 mln euro) deri në fund të qershorit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave që raportohen nga “Open Data Albania”.

Deri më tani qeveria nuk ka marrë hetime administrative ndaj kompanive, madje ministritë e linjës hezitojnë të raportojnë edhe të dhënat periodike mbi kontratat dhe stacionet e punimeve siç i detyron ligji.

Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri

Nisja e hetimeve

Iniciativa për hetimin e aferës u ndërmorr pas kallëzimit nga Nisma Thurje në Prokurorinë e Posaçme në vitin 2020.

Pas denoncimit, SPAK regjistroi hetimin për tenderat e incerenatorëve në tre qytete, Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë se kush është drejtësia që kërkojnë. Nga më parë ne kemi një drejtësi më të shtrenjtë, prokurorë që marrin rroga më të madha. Por a kemi një drejtësi të mirë? Kjo është ajo që duhet të zbardhë SPAK. A kemi drejtësinë e re që po e paguajmë kaq shtrenjtë? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë prokurorisë. Shpresojmë të zbardhë sa më shpejt këtë çështje dhe koncesionin e sterilizimit“, u shpreh aktivisti Pano Soko, pas daljes nga ambientet e SPAK ku depozitioi kallëzimin.

Gjithashtu edhe Partia Demokratike, si edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ngritën akuza në SPAK për atë që konsiderohet afera më e madhe në vend.

Arrestimet e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestua në Durrës më 21 Dhjetor 2021 dhe u akuza nga SPAK se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

“Nuk kam shpërdoruar detyrën. Kam zbatuar të gjithë procedurën dhe kërkesat ligjore”, ka deklaruar ai, duke mohuar akuzat.

Ndërsa ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako u arrestua në prill 2022. Ish-deputeti socialist u vetëdorëzua në drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas rreth 12 orësh “zhdukje” misterioze. Ndërsa paralajmërimet për vendosjen e tij në pranga kishin nisur prej muajt janar të atij viti.

Më datë 29 mars, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion i ka kërkuar Kuvendit, lejimin e arrestimit të deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

““Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg””- thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërkohë që janë vënë në sekuestro pasuritë e Alqi Bllakos dhe babait të tij, Edmond Bllako.

Kuvendi i Shqipërisë më datë 30 mars njoftoi mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve për t’i hapur rrugë arrestimit të Bllakos, por ky i fundit dorëzoi vullnetarisht mandatin me anë të një shkresë.

“Unë i nënshkruan Algi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhërit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00”, thuhet në letrën e Bllakos.

Ndërkohë që në prova u zbulua përfshirja e Bllakos me aferën e inceneratorëve.

“Referuar sistemit TIMS rezulton se në 16.4.2019, Alqi Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos drejt Italisë për t’u kthyer një ditë më pas po me Klodian Zoton”, thuhet në argumentet e SPAK.

Megjithatë pas akuzave të LSI, ai ishte shprehur se akuzat ishib hakmarrje personale nga LSI-ja, duke shtuar se babai i tij ishte inxhinier dhe se kishte fituar si projekt në impiantin e Tiranës.

“Im atë është një nga sipërmarrësit e parë në vitet ‘90. Si inxhinier mekanik, i specializuar për industrinë është profesionist dhe sipërmarrës i mirënjohur në këtë fushë prej 31 vitesh. Nuk ka ASNJË konflikt interesi timin me punën e kryer prej tij në Impiantin e Tiranës, punë që e ka filluar 1 vit e 3 muaj, pasi isha larguar nga Ministria e Mjedisit dhe ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë. Im atë, ka lidhur një kontratë afatshkurtër me afat të përcaktuar, si përgjegjës për detajimin e projektit mekanik, pjesë kjo e projektit tërësor të zbatimit, projektim i ardhur nga një kompani ndërkombëtare. ZERO vendimmarrje e imja, në çdo hallkë të këtij procesi! ZERO konflikt interesi!”.

Dënimet me burg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me burgim ish ministrin e Mjedisit lefter Koka, ndërsa shpalli të pafajshëm ish deputetin socialist Alqi Bllako, në procesin për rastin e inceneratorit të Elbasanit.

Ndërsa në rastin e inceneratorit të Fierit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa ish deputeti socialist Alqi Bllako me 2 vjet e 8 muaj.

Inceneratori i Fierit

Inceneratori i Fierit

Fijet që çuan tek Arben Ahmetaj

Hetimet nxorrën në dritë dhe fije që çuan deri te ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në arrati që prej muajit korrik.

Arben Ahmetaj u arratis nga Shqipëria pak para se SPAK të çonte në Kuvend kërkesën për arrestimin e tij. Ende nuk dihet vendndodhja e tij, ndërsa lidhur me akuzat ka hedhur poshtë çdo pretendim duke i quajtur sulm personal ndaj tij.

Të dhënat e grumbulluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimit mbi përfitimet e dyshuara korruptive të ish-zëvendëskryeministrit, nga dy biznesmenë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, aktualisht në arrati për akuza të tjera për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë, kanë zbuluar udhëtime të shumta të kryera nga Ahmetaj në shoqëri të ndryshme, përfshirë familjen e vet, bashkëjetuesen aktuale dhe zyrtarë të tjerë socialistë.

Ish-ministri Damian Gjiknuri rezulton përfitues në dy raste nga karta e Zotos, i cili duket se ka funksionuar si bankomat për udhëtimet e biznesit apo të qejfit ndërsa Gent Gazheli, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe më parë, drejtor i zyrës kundër pastrimit të parave, rezulton të ketë udhëtuar bashkë me Mërtirin dhe Zoton për në Greqi.

Gjiknuri ka mohuar më herët të ketë përfituar pagesa hotelesh nga Zoto ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes specifike nëse i njihte apo i kishte takuar të dy biznesmenët. Gazheli nuk ishte i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Prokurorët kanë llogaritur se në total, për rastet e identifikuara, Zoto e Mërtiri i kanë paguar Ahmetajt gjithsej 34 mijë euro për udhëtime, përfshirë fundjava në Milano, pushime familjare në Rivierën Franceze apo pushime në Greqi, Rumani e Austri. Shpenzime të tjera për udhëtime të familjes rezultojnë të jenë paguar nga një shok fëmijërie i Ahmetajt.

Shoku i fëmijërisë u punësua në një ndërmarrje shtetërore në likujdim kur Ahmetaj u bë ministër në vitin 2013, gjë që hap një pistë tjetër dyshimesh për korrupsion në lidhje me një ankand tjetër, që solli shkrirjen për skrap të Termocentralit të Fierit, një investim i kohës së komunizmit, i cili ishte jashtë pune prej vitesh, por që vazhdimisht diskutohej nevoja për ta restauruar për prodhim energjie.

Udhëtimet e hetuara nga SPAK sugjerojnë një rritje progresive të kostos dhe të luksit, nga periudha 2012-2013, kur biznesi kryesor i Mërtirit dhe Zotos duket se ishin kontratat me ujësjellësit e qyteteve të qeverisura nga socialistët, deri te udhëtimet e fundit, të identifikuara në vitet 2016 e 2017.

Arrestimi Stela Gugalljas

Bosja e inceneratorëve Stela Gungallja ishte shpallur në kërkim që në dhjetorin e vitit 2021, kur edhe u bë arrestimi I ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Ajo mësohet se u arrestua në Vjenë.

Prej atëherë ajo që qendruar e fshehur dhe i është shmangur drejtësisë.

Bashkë me të në kërkim janë edhe dy bashkëpronarët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Skandali me iniceneratorin e Tiranës

15 urdhër arreste u lëshuan nga SPAK më 8 Dhjetor 2023 për inceneratorin e Tiranës, ku në mesin e arrestuarve janë zyrtarë të lartë në Bashkinë e Tiranës. Urdhërarrestet vijnë pasi SPAK sekuestroi inceneratorin e Tiranës në Gusht 2023.

Për biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët janë aktualisht në arrati, gjykata firmosi një masë shtesë sigurie arrest me burg për korrupsion, pastrim parash dhe mashtrimit me pasoja të rënda.

Taulant Tusha, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe Namik Simixhiu, zyrtar I lartë në këtë institucion, së bashku me Bledar Karolin dhe Jetmir Llapaj u arrestuan mbrëmjen e së premtes. Ish-ministri I mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako u njohën në qeli me akuzat e reja.

Në masë sigurie arrest shtëpie u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se Lefter Koka në cilësinë e ministrit të Mjedisit ne bashkëpunim me vartësit e tij, në kundërshtim me ligjin, ka propozuar dhënien e bonusit prej 8 për qind të pikëve bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”.

Ky bonus thekson SPAK iu dha kësaj kompanie, në një kohë që ende nuk ishin sqaruar kostot e projektit.

Hetimet kanë zbuluar se biznesmeni Klodian Zoto ishte në dijeni të rrethanave konkurruese, përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit, falë ndihmës dhe favorizimit nga zyrtarët e ministrisë së Mjedisit dhe anëtarët e komisionit të koncesionit.

SPAK thekson se zyrtarët e kanë pajisur shoqërinë ne fjalë me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Zyrtarët akuzohen se kanë kryer shkelje të ligjit, përderisa nuk kanë hartuar dhe miraruar dokumentet standarde të koncesionit, si dhe nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e këtyre dokumenteve.

Hetimi ka zbuluar se dokumentet në fjalë janë hartuar nga punonjësit e biznesmenit Klodian Zoto, I cili ua ka dërguar zyrtarëve të ministrisë dhe më pas këta të fundit I kanë ngarkuar në sistemit elektronik.

SPAK thekson se rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

 

Protesta për inceneratorin

Qytetarë dhe Shoqëria Civile kanë dalë në protestë para SPAK, për inceneratorin e Tiranës.

Protestuesit kërkojnë që të shkojnë para drejtësisë, përgjegjësit e vërtetë të aferës.

“Të vijë Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga, po kalojmë nëpër baltë. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe. Nuk kam ku mbledh fëmijët e mi jam 14 vetë. Veliaj dhe Rama të bëjnë vitin e ri. Deputetët marrin nga 5 milionë, unë 100 mijë lekë. SPAK të nisë nga kryet. Pa firmën e Ramës dhe Veliajt, nuk bëhej kjo gjë.

Për popullin nuk flet kush. Bëhen 2 vite që në janar, që jam jashtë shtëpie. I bëj thirrje Amerikës shteteve të huaja që të na përkrahin. Kur vinë të huajt shtrojnë tapetin e kuq, por për shqiptarët kanë shtruar tapetin e zi”, tha nënë Liza.

Inceneratori i Tiranës merr 12 mln euro nga buxheti

Inceneratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë (12 mln euro) vitin që vjen, me rritje gati 20% me financimin e këtij viti 2024.

Edhe pse nën hetim dhe inekzisten, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për aferën abuzuve të inceneratorit të Tiranës.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave.

Dy inceneratorët e tjerë, i Fierit dhe Elbasanit kanë marrë përkatësisht 4 dhe 2.4 miliardë lekë, faktikisht të gjitha fondet e parashikuara, pasi për to u hapën hetimet pasi kishin përfunduar pagesat.

Si u fshehën Zoto dhe Mërtiri pas kompanisë mëmë ‘Integrated Energy B.V’

Nga hetimet 3-vjeçare, rezultoi se Zoto dhe Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

Siç edhe ka rezultuar pronarë të inceneratorit të Tiranës janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët kanë organizuar të gjithë skemën e një megaafere/ZOOM.AL