Aplikacion
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me revistën Monitor, organizoi një konferencë për të diskutuar programet ekonomike të forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga Partia Demokratike dhe disa parti të reja, ndërsa Partia Socialiste mungoi për shkak të angazhimeve të saj politike.
Partia Demokratike, e përfaqësuar nga Jorida Tabaku dhe Dorian Teliti, theksoi vendosjen e një kodi fiskal të qëndrueshëm, si dhe taksën e sheshtë për bizneset.
“Për sa i përket nivelit të taksimit, ne mbështesim taksën e ulët, përkatësisht taksën e sheshtë. Synojmë rikthimin e saj për të ardhurat personale, duke hequr dorë nga taksimi progresiv prej 23%, i cili ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.”
“Parimi kryesor i gjithë paketës fiskale dhe njëkohësisht i politikës ekonomike që propozon Partia Demokratike është qëndrueshmëria. Në 12 vitet e fundit, legjislacioni fiskal ka ndryshuar mbi 60 herë, ndërsa ligji për procedurat tatimore ka ndryshuar plot 180 herë. Ne kërkojmë stabilitet dhe parashikueshmëri,” u shpreh Jorida Tabaku, Deputete e PD.
Ndërkohë, Partia Mundësia, përfaqësuar nga kryetari Agron Shehaj, ka në fokus uljen e shpenzimeve të administratës publike.
“Vizioni ynë është një shtet i vogël, me taksa më të ulëta. Propozimi ynë kryesor është krijimi i një administrate më të efektshme dhe me kosto më të ulët. Sot, shteti shqiptar shpenzon 8.2 miliardë euro.”
Një vëmendje të veçantë në këtë aktivitet iu kushtua edhe tregtisë së jashtme të Shqipërisë. U theksua varësia në rritje nga importet, ndërsa u kërkua më shumë mbështetje për sektorin bujqësor, i cili po jep një kontribut gjithnjë e më të vogël në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.
Përfaqësuesi i Lëvizja Bashkë, Jani Markaj, tha se pavarësisht se partia në fjalë ka një qëndrim të theksuar kundër oligarkisë, nuk është kundër biznesit. Gjithsesi ai theksoi se nisma ligjore të tilla si PPP apo investimet strategjike, që favorizojnë hotelet me 4-5 yje në turizëm, duhet të anulohen. Turizmi sipas tij mund të jetë një sektor i rëndësishëm por jo prioritar, teksa vëmendja duhet të shkojë tek industria e lehtë, që sjell produkt të shtuar më të lartë në ekonomi.
Mateo Spaho, nga Koalicioni Euroatlantik, tha se nuk luftohet për ulje taksash apo shpenzimesh, por si fillim duhet që figurat që promovohen të mos kenë probleme me drejtësinë. Ai nënvizoi se koalicioni ka një fokus te familja, duke synuar zbatimin e masës së rimbursimit të kredisë së shtëpisë për 20 mijë çifte të reja, si dhe mbështetjen me një shumë benefitesh në vlerën 20 mijë euro për familjet që kanë një fëmijë të tretë. Gjithashtu në fokus do të jetë një sistem tatimor i sheshtë në nivelin 9 për qindm ku bazë taksimi të jenë të ardhurat familjare dhe jo individuale.
Z.Murrizi nga Koalicioni Djathtas për Zhvillim tha se taksimi i sheshtë i pandryshuar për një dekadë është një nga propozimet e partisë, ndërkohë që propozohet bashkimi i parcelave bujqësore, duke e nxitur këtë nëpërmjet kreditimit si një formë për të rritur prodhimin.