zoom

Aktualitet

“Për Metën janë dërguar disa letërporosi” – Klodiana Lala: Në celularin e sekuestruar ka biseda…

Gazetarja Klodiana Lala zbardhi detaje nga hetimet që SPAK po kryen për çiftin Meta-Kryemadhi.

Në studion e “Top Story”, Lala tha se për Metën prokurorët kanë dërguar letërporosi në disa shtete për të kërkuar informacion për dosjen “CEZ-DIA” dhe për kontaktet e ish-presidentit me Kastriot Ismailajn.

Ndërsa për hetimin pasuror që po kryhet për Monika Kryemadhin, gazetarja zbuloi se në shtëpinë e saj është sekuestruar një celular që dyshohet se ka biseda që prej vitit 2011.

“Janë disa dosje për ish-presidentin dhe bashkëshorten e tij. Janë dërguar disa letër porosi jashtë vendit për shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore.

Një është dërguar në Çeki për të parë udhëtimet që Meta ka bërë dhe nëse ka qëndruar në të njëjtat vende që ka qëndruar Kastriot Ismaili. Bëhet fjalë në kohën që është lidhur marrëveshje me CEZ. Dyshim që mbetet për t’u parë sa do të vërtetohet.

Edhe në SHBA është dërguar letërporosi, dhe pjesa tjetër që duket se e shqetëson çiftin se ka të bëjë me pasurinë. Hetimi pasuror. Nëna e Kryemadhit tha detaje interesante, ‘prokurorët më pyetën për çështjen e pasurisë dhe më nxorën sikur nuk kam punuar asnjë ditë. Ne kemi punuar dhe kemi ndërtuar një pallat. Këtë pasuri e kam ndarë dhe me fëmijët’, tha ajo. Është drejt fundit hetimi sepse është ezauruar e gjithë lista e persona që do merreshin në pyetje. Është sekuestruar dhe një celular në shtëpinë e Fatime Kryemadhit që dyshohet se ka biseda që në 2011”, tha Lala.

Më 7 dhjetor 2023 gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Çela e refuzoi kërkesën e ish -kryetares së LSI, Monika Kryemadhit për t’i kthyer asaj disa sende të sekuestruara. 2 javë përpara këtij vendimi agjentët e BKH kishin kryer kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë dhe në shtëpinë e nënës së deputetes. Siç raportuan mediat, ishin sekuestuar dokumente, kompjutera dhe të paktën 5 telefona.

Ky telefon, siç mësoi Zoom.al nga disa burime, ishte gjetur në shtëpinë e nënës së saj, që ka një derë komunikuese me shtëpinë e deputetes. Në këtë ambient agjentët e BKH kishin hyrë me udhër kontrolli të Gjykatës së Posaçme. Gjatë hetimeve mbi Kryemadhin ata kishin gjetur disa shkresa të dyshimta që mbanin emrin e nënës së deputetes”, tha Klodiana Lala.