Aplikacion
Paraditen e sotme, nga Komisioni për Çështjet Ligjore, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli do të merrte mbi supe (pa kuptuar ose jo), rëndesën e një çështjeje delikate; atë të largimit të mjekëve shqiptarë -veçanërisht- drejt Gjermanisë.
Rakacolli rrëzoi argumentin se bluzat e bardha zgjedhin të ikin për shkak të pagës, duke hedhur një “tezë” të re.
“Në Gjermani mjekët nuk shkojnë për shkak të pagës. Mjekët që ikin në Gjermani ikin, sepse mjekët gjermanë ikin në Zvicër dhe Amerikë. Emigrojnë edhe ata,”- u shpreh zëvendësministrja.
Kështu, një prej figurave më popullore e të besuara (kujtoni daljet e shpeshta publike të zëvendësministres përgjatë muajve të pandemisë) injoroi shifrat, rrezen e gjerë të përfshirjes së kësaj teme në popull duke u zotuar se fenomeni është natyral, veçse një lëvizje e lirë njerëzish.
Së pari, mjaftojnë vetëm disa prej intervistave me zë e figurë të disa mjekëve e infermierëve tanë, tanimë në Gjermani, për të rrëzuar pretendimin e Rakacollit.
Dy javë më parë, për mikrofonin e A2 CNN, Elton Gjoka, mjek kardiolog, i cili prej 10 vjetësh ushtron profesionin e tij në Gjermani do të fliste hapur lidhur me arsyet e emigrimit të kolegëve të tij.
“Është i vetmi vend që ka bërë ligje për shtetin shqiptar. Aktualisht nuk ka asnjë shtet tjetër në BE ku shqiptarët mund të ushtrojnë zanatin e tyre, cilido qoftë ky. Një mjek specializant në Gjermani merr mbi 8 mijë euro, një rrogë më e madhe se e Guvernatorit të Shqipërisë”.
A do të kthehej ai sërish në Shqipëri?
“Kur flitet për rikthim, Shqipëria duhet të reflektojë, por tashmë Shqipëria po ecën mbrapa”.
Në një intervistë të afro dy viteve më parë, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg do të ndalej gjatë në çështjen e thithjes së mjekëve shqiptarë nga Gjermania.
“Arsyeja kryesore është arsyeja ekonomike, ekziston edhe një përqindje 1% për arsye gjyqësore”, do t’i përgjigjej ajo pyetjes se përse largohen mjekët shqiptarë.
Po kështu, Sueda Fejzullahu, një vajzë e re, e cila mbaroi universitetin për Infermieri të Përgjithshme në Tiranë dhe më pas punoi një vit në spitalin “Shefqet Ndroqi” do të rrëfente për një gazetë në vend, arsyen e largimit.
“Kushtet e punës ishin shumë të vështira. Mezi gjenim shiringa për pacientët. Më vinte keq që do lija prindërit, por pagesa që merrja këtu nuk më mjaftonte as për vete e jo më të ndihmoja ata,”- ishin fjalët e sinqerta të një vajzë që emigroi prej parave, për hir të mirëqenies.
4000 punonjës shqiptarë të shëndetësisë emigruan në vitin 2020 drejt Gjermanisë dhe jo, kjo nuk mund të jetë rastësi. Shifra të frikshme, të asaj që mediat do t’i vendosnin një etiketim kuptimplotë “rrjedhja/gjakderdhja e mjekëve”.
Zoom.al kontaktoi një mjeke psikiatër në Osnabruck dhe dy infermiere në zonën e Nurembergut. Ato u shprehën se gjendja ekonomike ishte padyshim arsyeja e emigrimit të tyre dhe kolegëve, teksa pyetur rreth deklaratës së sotme të zēvendēsministres, u shprehën se është krejt e pavend dhe aspak aktuale.
Po t’i lëmë pas shifrat dhe të ndalemi në përvojën tonë, në atë çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët, e dimë sërish se teza e zëvendësministres nuk pi ujë. S’shpëtojmë dot pa pasur një të afërm që rroga si infermier këtu e çoi në një prej provincave të Berlinit, apo një mik që midis QSUT-së dhe azilit në Frankfurt zgjodhi këtë të dytin.
Ajo çfarë të ngjall edhe më tepër zemërim në të gjithën këtë është fakti se vetë zëvendësministrja gjendet në radhën e mjekëve të republikës. Thënë shkurt, në brendësi të gjësë.
Nëse turmën mund të tentosh t’ia manipulosh gjykimin në tema për të cilat s’ka fort akses e di hiçgjë, në disa të tjera më mirë të ngresh duart lart e të heshtësh./ Ky artikull është origjinal i Zoom.al
Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës