Aplikacion
Pas debateve mbi efikasitetin e sulmit mbi centralet bërthamore në Iran, shefi i Pentagonit Pete Hegseth dhe gjenerali i lartë Dan Caine dolën para mediave duke shfaqur një video ku demonstrohej fuqia e bombave të hedhura nga ushtria amerikane në bazën bërthamore iraniane në Fordow.
Në të shfaqej pasoja që lë një bombë bunkeri e ngjashme me ato të hedhura mbi centralet bërthamore në Iran javën e kaluar, ku vetëm një prej tyre peshonte mbi 13 mijë kilogramë. Në sulmin e 21 qershorit, ushtria amerikane përdori 14 të tilla mbi bazat bërthamore.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë informacioni që sugjeronte se Irani kishte zhvendosur uraniumin për ta mbrojtur atë nga sulmet amerikane. Ai tha se aftësitë bërthamore të Teheranit me këtë sulm të suksesshëm ishin penguar me vite.
Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë ka akuzuar CNN, FOX dhe “New York Times” për përhapje lajmesh të rreme në lidhje me këto sulme, pas publikimit të një raporti sekret, teksa kërkoi dhe përjashtimin e gazetares së CNN-it.
Edhe shefi i CIA-s, John Ratcliffe, mbështet pretendimet e Donald Trump se sulmi amerikan i shkaktoi dëme të mëdha programit bërthamor të Iranit. Ai tha se Iranit do t’i duhen dekada të tëra që të rregullojë dëmet që u shkaktuan nga sulmet amerikane të së dielës.
Ndërsa lideri i Iranit, Ajatollah Khamenei, bëri daljen e parë publike pas sulmeve të ushtrisë amerikane. Në një video-mesazh uroi popullin iranian për atë që e cilëson si fitore ndaj Izraelit, duke shtuar gjithashtu se edhe në këtë përballje Republika Islamike i dha një shuplakë të fortë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.