zoom

Lajme

“Pemës po i fiken dritat”- E ëma i “tregoi” se po ndahej nga jeta, Pirro Çako prek me rrëfimin

“Pemës po i fiken dritat”- E ëma i “tregoi” se po ndahej nga jeta, Pirro Çako prek me rrëfimin

“Nuk ka më kush të m’i ndezë dritat e bredhit.” Me këtë ndjesi dhimbjeje dhe mungese e përmbylli Pirro Çako rrëfimin për nënën e tij, Luiza Çakon, e cila u nda nga jeta në shtator të këtij viti.

Artisti ndau historinë pas vargut prekës të këngës që i ka dedikuar asaj, “Nënë, më mungon”, duke zbuluar simbolikën e “dritave të pemës”. Vite më parë, ai i kishte blerë së ëmës një pemë jete, të cilën ajo e mbante gjithmonë pranë, si një shenjë shprese mes problemeve të vazhdueshme shëndetësore.

“I kisha blerë një pemë jete, e mbante gjithmonë afër te koka dhe kishte 5 vjet. [Mamaja] Ka pasur gjithmonë probleme shëndetësore dhe unë përpiqesha në spital, e gjëra, dhe i kisha blerë pemën dhe sikur po i ecte. Sikur e ruante Zoti, ajo pema e jetës.”

Pas pesë vitesh, Luiza Çako i kishte bërë të birit një vërejtje që ai e kuptoi menjëherë si një mesazh të heshtur për gjendjen e saj: dritat e pemës po shuheshin dhe kishin mbetur ndezur vetëm pak prej tyre. Ky moment, sipas Pirros, i shkaktoi një drithërimë të fortë.

“Për herë të parë, pas 5 vjetësh, më thotë ‘O bir, kjo pema, se po e shikoj, sikur i janë fikur dritat. Kanë ngelur shumë pak ndezur.’ Dhe unë ngela për një moment, se e kapa mesazhin, çfarë donte të më thonte ajo dhe pata një drithërimë. Dhe u afrova dhe kishte të drejtë, kishin mbetur vetëm 20% të dritave, ishin djegur nga pak.”

Vetëm një javë më pas, ajo u nda nga jeta. Kujtimi i atij çasti iu rikthye artistit teksa ishte në piano, duke u shndërruar në frymëzim për vargun që sot përmbledh dhimbjen e tij më të madhe: mungesën e nënës dhe dritat që, për të dy, u fikën përgjithmonë./Zoom.al