zoom

Slider

Pele do varroset me pamje nga fusha që e bëri të famshëm! Homazhe 24 orë për nder të legjendës

Brazili vijon të jetë në zi për Pele. Sot në qytetin Santos, në stadiumin Urbano Caldeira (por i thirrur nga të gjithë Vila Belmiro), po mbahet vigjilja mortore për O Rey, i cili vdiq 29 dhjetorin e kaluar në moshën 82-vjeçare. Ai do të varroset me pamje nga fusha e Santos, vendi ku u bë i famshëm, në katin e nëntë të varrezave murale. Ky ka qenë një vendim i tij, për të qëndruar pranë babait.

Homazhet nisin në orën 10 me orën lokale (14:00 me orën shqiptare) në vendin që vetë legjenda e kishte treguar si të preferuarin për t’i dhënë lamtumirën fansave të tij.

Arkivoli do të transportohet nga spitali izraelit ‘Albert Einstein’ direkt në stadium dhe do të vendoset në qendër të fushës. Funerali do të bëhet të martën dhe do të paraprihet nga një procesion nëpër rrugët e Santos. Trupi më pas do të varroset në Nekropolin Ekumenik Memorial, pas një ceremonie private të rezervuar për familjen.

Arkivoli i tri herë kampionit të botës do të vendoset në rrethin qendror të fushës, pasi të transportohet nëpër rrugët e Santos dhe të kalojë shtëpinë e nënës së tij 100-vjeçare, Celeste, e cila ende nuk e di që ka humbur të birin. Në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë vetëm familjarët.