zoom

Slider

PD nis rikuperimin në Durrës, rriten tensionet

Partia Demokratike po fiton ndjeshëm terren kundrejt Partisë Socialiste në qarkun  e Durrësit.

Deri më tani në qarkun e Durrësit janë numëruar 212 qendra votimi nga 481 në total.  Konkretisht  në Durrës janë numëruar 64274 vota të vlefshme.

Qarku i Durrësit deri më tani po udhëhiqet nga Partia Socialiste me 33363 vota. Ndërkohë Partia Demokratike vjen më pas me 25544 vota. Në vendin e tretë deri më tani renditet partia Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në KZAZ nr.22, e vendosur tek palestra e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” ka nisur para pak minutash procesi i numërimit, pasi ishte ndërprerë prej disa orësh.

Jashtë KZAZ-së kishte grumbullime njerëzish, madje njëri prej vëzhguesve të jashtëm të PD-së pretendonte se nuk e linin të futej brenda, megjithëse kishte dokumentin shoqërues. Të gjitha listat e vëzhguesve po verifikoheshin nga fillimi.

Aty ndodhej edhe kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj. KZAZ nr.22 ka qendrat e votimit të zonës së plazhit, Shkozetit dhe ish-Kënetës.

Një natë më parë, numëruesit e PD-së u tërhoqën për disa orë dhe nuk po nisnin procesin e numërimit, i cili filloi vetëm pas orës 04.00.