zoom

Ide & Blog

Pazari për një zyrë, rasti i Genc Deromemajt dhe blerja e opozitës në Vlorë

Pazari për një zyrë, rasti i Genc Deromemajt dhe blerja e opozitës në Vlorë

Kur Genc Deromemaj, si kryetar i PD-së së Vlorës, deklaronte gjatë një votimi të brendshëm në PD se “ky vendim sot do të thotë e ardhmja, jo thjesht për PD, por kam besimin e plotë që do të jetë e ardhmja për Shqipërinë”, ai nuk e përfytyronte dot se e ardhmja që kishte në mendje do të kulmonte në kolltukun e zyrës së Drejtorit të Kadastrës së Vlorës, me firmën e Edi Ramës.

Pas kësaj deklarate, që u interpretua si një angazhim idealist për të ndryshuar rrjedhën e opozitës dhe për të rikthyer besimin te demokracia e brendshme në PD, Deromemaj është rikthyer në qendër të vëmendjes jo për kauza, por për kompromise.
Ai ishte sot personazhi më i përfolur politik.
Emërimi i tij si drejtues i Kadastrës së Vlorës, ka përmbysur gjithçka që Deromemaj u ka thënë demokratëve ndër vite, kur u kërkoi besimin për kryetar të degës së PD-së së Vlorës, kur u fliste si do të rrëzonin Edi Ramën nga pushtet, kur u kërkonte të ngriheshin në protesta kundër korrupsionit galopant të qeverisë së Edi Ramës.

Sot ai është ulur këmbëkryq në një prej institucioneve më në qendër të akuzave për korrupsion e padrejtësi me pronat. Dhe me këtë detyrë që ka marrë ai ka tradhëtuar çdo demokrat e ka përmbysur çdo ideal e parim.

Në vend të një përballjeje politike me sistemin që pretendonte se donte të ndryshonte, Deromemaj zgjodhi të bëhet pjesë e tij në këmbim të një prej posteve më të lakmuara të administratës. Dhe kuptohet përse është i lakmuar, sigurisht që jo për t’u dhënë zgjidhje problemeve thuajse të pazgjidhshme me pronat në Shqipëri.

Ky nuk është një rast i izoluar. Është simptomë e një sëmundjeje të thellë politike shqiptare, ku pushteti blen çdo opozitar që është gati të shesë parimet në këmbim të një vendi pune apo të favoreve të tjera, si lejet e ndërtimit. Dhe Vlora duket se mban flamurin në këtë drejtim. Ish-kryetari tjetër i PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi, mori leje ndërtimi nga Edi Rama për një kullë në Vlorë, duke hequr dorë nga mbështetja për demokratët në zgjedhje./ Zoom.al