Aplikacion
Meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm për këtë fundjavë, me reshje dhe stuhi në disa zona të vendit.
Eneida Doçi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se masat ajrore të lagështa, që kanë mbërritur nga perëndimi, do të vazhdojnë të ndikojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Sipas saj, dita e shtunë do të sjellë vranësira të dendura në pjesën lindore të vendit, ndërsa ultësira perëndimore do të ketë kthjellime të herëpashershme. Reshjet e shiut do të jenë kryesisht të lehta dhe lokale në pjesën e parë të ditës, duke u ndërprerë gradualisht më pas.
Të dielën, reshjet do të intensifikohen në disa zona dhe në veriperëndim e qendër priten stuhi të izoluara. Gjendja e paqëndrueshme do të vazhdojë gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Në ditën e hënë moti do të jetë i paqëndrueshëm në mëngjes, ndërsa të martën priten reshje të dobëta dhe të shpërndara në disa rajone./ Zoom.al