Aplikacion
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të veprojnë më si ndërmjetësi kryesor në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Lajmin e bëri të ditur sot Departamenti i Shtetit amerikan, duke theksuar një ndryshim të qasjes në lidhje me përpjekjet diplomatike.
Zëdhënësja Tammy Bruce deklaroi se SHBA-të po ndryshojnë metodologjinë e tyre të angazhimit dhe nuk do të udhëtojnë më nëpër botë për takime ndërmjetësuese.
“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të udhëtojmë më nëpër botë si ndërmjetës në takime. Tani varet nga të dyja palët, ka ardhur koha të paraqesin dhe zhvillojnë ide konkrete për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha ajo.
Bruce shtoi se sanksionet ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi dhe theksoi se administrata amerikane do të fokusohet edhe në çështje të tjera globale që kërkojnë vëmendje.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti J.D. Vance, në një deklaratë për Fox News, theksoi se lufta në Ukrainë nuk duket se do të përfundojë së shpejti, duke ia lënë përgjegjësinë për paqen Kievit dhe Moskës.
“Presidenti Trump i solli palët në tryezë më herët, por tani nuk do të jemi ne që udhëheqim përpjekjet për paqe”, deklaroi Vance./ Zoom.al