zoom

Ide & Blog

Pak fjalë për krizën aktuale dhe modelin ekonomik shqiptar…

Pak fjalë për krizën aktuale dhe modelin ekonomik shqiptar…

Një ekonomi si kjo që është krijuar në Shqipëri në 32 vitet e fundit, e cila trumpetohet sikur është një ekonomi që bazohet te tregu dhe konkurrenca e lirë, por në fakt:

  • Është një ekonomi thellësisht e përqëndruar në një grusht kompanish private, suksesi i të cilave nuk varet nga mirëmenaxhimi, por varet tërësisht nga marrëdhëniet korruptive me institucionet shtetërore dhe drejtuesit e qeverive, nga ku përfitohen favore korruptive nëpërmjet tolerimit të kontrabandës dhe evazionit fiskal;
  • Është një ekonomi e centralizuar ku qeveria është burimi kryesor i mbështetjes së aktivitetit të një pakice kompanish private me rreth 2 miliard USD në vit nëpërmjet buxhetit të saj të investimeve, mirëmbajtjes dhe shpenzimeve të tjera;
  • Është një ekonomi e deformuar nga paratë e zeza të krimit të organizuar dhe të korrupsionit shtetëror;
  • Është një ekonomi që nuk bazohet te mirëmenaxhimi i resurseve natyrore dhe industria reale e prodhimi vendas, te energjia krijuese dhe shërbimet inteligjente, te industria e dijes dhe kërkim- zhvillimi, te motivimi i burimeve njerëzore dhe rritja e kapaciteteve konkurruese, te zhvillimi i brandeve kombëtare dhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, por bazohet te shfrytëzimi barbar i burimeve natyrore, te shfrytëzimi barbar i burimeve njerëzore, te rritja e analfabetizmit dhe shkatërrimi i institucioneve arsimore dhe kërkimore – shkencore, te devotivimi i të rinjve dhe ndotja e tyre për të braktisur vendin, te rritja e pandalshme e importeve dhe bizneseve tregtare dhe fasoneve, etj.
  • Në Shqipëri vazhdon të thellohet çdo vit deficiti tregtar dhe ekonomia bazohet kryesisht te tregtia me shumicë dhe pakicë që zë mbi 50 % të GDP.
  • Duket sikur numri i bizneseve aktive në Shqipëri rritet çdo vit dhe aktualisht numërohen rreth 166 mijë subjekte, por realisht pjesa më e madhe e ekonomisë, e pasurisë dhe të ardhurave kombëtare zotërohet nga një pakicë shumë e vogël e kompanive dhe individëve.

Më konkretisht bazuar në të dhëna zyrtare dhe publike, vetëm rreth 0.05 % të kompanive në Shqipëri përfitojnë rreth 30 % të të ardhurave vjetore të të gjitha kompanive ose rreth 40 % të GDP vjetore të vëndit, ndërsa rreth 0.5 % të kompanive zotërojnë rreth 50 % të të ardhurave të vëndit të barabarta me rreth 60 % të GDP vjetore të Shqipërisë.

  • Të dhënat e mësipërme janë akoma më dramatike po të përfshihej në analizë edhe vlera galopante e evazionit fiskal që kryhet nga kompanitë e mëdha. Dhe për të mbështetur këtë argument mjafton që të pasqyrojmë nivelin shumë të ulët të fitimeve që deklarojnë çdo vit në organet tatimore kompanitë e mëdha.
  • Nga të dhënat zyrtare të publikuara rezulton se mbi 60 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 100 milion USD raportojnë në organet fiskale humbje nga aktiviteti ose një fitim 0.6 % – 2 %. Ndërsa mbi 50 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 10 milion USD raportojnë nje fitim nga aktiviteti 2% – 5 %.

Kjo është arsyeja që niveli i fitimit mesatar të bizneseve në shkallë vëndi është më i ulët se 8 % dhe që të ardhurat e buxhetit të shtetit qëndrojnë në nivele shumë të ulëta nga tatimi i fitimit të korporatave, nderkohe qe kompensohet nga taksat që i paguajnë konsumatorët.

Me këtë strukturë dhe gjendje të ekonomisë së vendit që punon vetëm për një pakicë shumë të vogël do të jetë gjithmonë e vështirë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i vendit dhe rritja e mirëqenies së qytetarqëve shqiptarë.

Edhe situata aktuale e stagflacionit ka rrënjët te modeli i ekonomisë që është ndërtuar në 32 vitet e fundit, një model që prodhon super mirëqenie vetëm për shumë pak individë dhe varfëri dhe mungesë perspektive për 99 % të qytetarëve.