zoom

Aktualitet

Operacioni në Sarandë/ Kush janë biznesmeni dhe efektivët e arrestuar (Emrat)

Operacioni në Sarandë/ Kush janë biznesmeni dhe efektivët e arrestuar (Emrat)

Prokuroria e Sarandës lëshoi sot mbi dhjetëra urdhër-arreste për efektivë të Komisariatit të Sarandës, zyrtarë lokalë, biznesmenë dhe ndërtues, të dyshuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me ndërtimet pa leje në zonat e Sarandës dhe Ksamilit.

Operacioni i gjerë po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa kontrollet po ushtrohen në banesa dhe ambiente të tjera në funksion të ekzekutimit të urdhër-arresteve.

Sipas informacioneve paraprake, deri tani janë arrestuar Kristofor Shkrepa, inspektor i policisë së zonës në Ksamil, si dhe Alqi Papa, pronar i hotelit “Oasis” në Sarandë.

Gjithashtu, është arrestuar edhe efektivi tjetër i Komisariatit të Sarandës, Kastriot Satka, ndërsa vijon kërkimi për oficerin Irakli Kociaj.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se operacioni lidhet me hetime mbi lejimin dhe favorizimin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike të jugut, kryesisht në Ksamil dhe Sarandë. Ndërkohë, pritet që në orët në vijim autoritetet të japin më shumë detaje lidhur me numrin total të personave të përfshirë dhe akuzat konkrete ndaj tyre.

Postime të lidhura