Aplikacion
Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit nga jashtë vendit për zgjedhjet e 11 majit.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi se sot është marrë fleta e parë e votimit nga një emigrant, që do të bëhet pjesë e procesit zgjedhor.

Emigranti i parë që voton është një dibran që jeton në Gjermani.
Votimi nga jashtë ka nisur! Sot, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të Zgjedhjeve të 11 Majit 2025″, tha Ilirjan Celibashi në rrjetet sociale.
Zgjedhjet e 11 majit 2025 janë planifikuar të jenë zgjedhjet e para në Shqipëri ku diaspora shqiptare mund të marrë pjesë drejtpërdrejt në votim nga jashtë vendit.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi për vite me radhë diaspora ka kërkuar të ketë të drejtën e votës në zgjedhjet shqiptare, por për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore dhe teknike, kjo nuk ishte bërë e mundur deri tani. Në zgjedhjet e mëparshme, pjesëmarrja ka qenë e mundshme vetëm fizikisht në Shqipëri.
Vendimi për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë në këto zgjedhje u mor në kuadër të ndryshimeve të reja zgjedhore dhe angazhimeve për garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendbanimit të tyre./ Zoom.al