zoom

Aktualitet

Nipi i deputetit të PS-së: S’jam arratisur, të më nxjerrin një provë dhe vij përballem

Ramazan Rraja, i shpallur sot në kërkim nga policia e Lezhës, për ngjarjen e 13 nëntorit, ku tre persona hynë në një lokal të maskuar dhe të armatosur, deklaron se nuk ka asnjë lidhje me të.

Rraja tha se e konsideron ngjarjen të stisur, ndërsa kërkoi nga prokuroria dhe policia të nxjerrin qoftë edhe një provë të vetme.

“Natën e ngjarjes që flet policia, për të cilën më ka ngritur akuzë, kam qenë në shtëpinë time, kam video e foto për këtë, dhe prokuroria e policia e dinë shumë mirë, sepse më kanë thënë telefoni im është në përgjim. E kanë kollaj për ta zgjidhur këtë çështje”, u shpreh Rraja për BalkanWeb, ku ndër të tjera apelon që xhaxhai i tij deputet, Rrahman Rraja, të mos lakohet sa herë përmendet emri i tij.

“Sa i takon, xhaxhait tim deputet dua që mos të përmendet emri i tij, nuk kam asnjë lidhje me të, asnjë lloj kontakti. Ai është i zgjedhur i popullit, nuk dua të përfshihet në këtë ngjarje.

Është një ngjarje e stisur, nga njerëz që policia e di shumë mirë. Nuk e kam idenë kush janë njerëzit në lokal, nuk kam qenë kurrë në atë fshat të Lezhës. Kam çuar avokatin tim në polici, të më japin qoftë edhe një provë të vetme, dhe jam i gatshëm të vi, i hipi avionit menjëherë dhe vi paraqitem para drejtësisë.

Dikush ka akses shumë të fortë te policia e Lezhës, kundrejt rryshfetit terorrizojnë familjen time. Një e dy më nxjerrin emrin në media. Policia e prokuroria të bëjnë punën e tyre, të keni një provë e fakt, dhe jo gojëdhënat, nga goret e Kurbinit. Nuk kam konflikt me njeri, lëviz i qetë”, përfundoi Ramazan Rraja.