zoom

Bota

Kjo verë s’do jetë e lehtë, 52 gradë dhe 15 të vdekur brenda një dite nga vapa ekstreme në Indi!

Këtë vit natyra po sillet çuditshëm dhe gati pa mëshirë me njerëzimin, me kushte ekstreme dhe katastrofa me shumë viktima. Stuhi shiu dhe breshëri, përmbytje apokaliptike, vullkane, tërmete dhe ciklone, kurse tani vapa ekstreme.

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dje, të enjten, nga i nxehti ekstrem në shtetet lindore Bihar dhe Odisha të Indisë, me temperaturat që arrijnë deri në 52 gradë Celsius.

Miliona banorë po përpiqen të gjejnë freski nën ura dhe në shatërvanë, shkollat ​​janë mbyllur dhe spitalet janë mbushur me njerëz që vuajnë nga goditja e nxehtësisë – nga foshnjat tek të moshuarit.

Autoritetet njoftuan dje vdekjen e 10 personave në spital në rrethin Rourkela të Odishës, ndërsa pesë persona vdiqën në qytetin Aurangabad të shtetit Bihar.

Qeveria e shtetit Odisha i ka ndaluar nëpunësit publikë nga aktivitetet në natyrë nga ora 11:00 deri në 3:00 pasdite, kur temperatura është në nivelin më të lartë. Kjo situatë parashikohet të vijojë më tej dhe njerëzit këshillohen të jenë të kujdesshëm, teksa pritet që numri i viktimave të rritet.

Pak ditë më parë ishte Meksika që u godit nga temperatura mbi 50 gradë dhe me rreth 50 viktima. /ZOOM.AL/