Aplikacion
Niko Peleshi nuk e kishte provuar më parë mbi shpinë peshën e luftës së ashpër politike.
Duke i shërbyer besnikërisht Edi Ramës ai ka arritur të gëzojë poste të rëndësishme, nga kryetari i Bashkisë së Korcës, Ministër i Mbrojtjes, Ministër i Bujqësisë e tani edhe Kryetar i Kuvendit.
Në dukje i qetë, i dëgjueshëm, ai ka mundur të krijojë profilin e një politikani të arsyeshëm, të ndryshëm nga grupimi ku bën pjesë dhe rrallëherë e ka parë veten të përfshirë nën akuza apo në konflikte me kundështarët.
Në fakt, ai nuk ka qenë nën presion kurrë më parë. Por ulja në karrigen e Kryetarit të Kuvendit po e përball me situata të sikletshme, që me gjasë as i kishte menduar ndonjëherë.
Ai po e sheh veten në kulmin e vlimit të gjellës që ka gatuar PS në 13 vite pushtet. Dhe Niko, ashtu si valvula e shkarkimit në kapakun e një tenxherje me presion ka nisur të fishkëllejë për të shkarkuar tensionet që po kalon partia e tij, në mënyrë që të eviojë shpërthimin.
Prej javësh ai po dëshmon haptazi se peshorja e tij në krye të Kuvendit ka dy masa, ndonëse duhet të ishte arbitri i sallës, njeriu që duhet të garantojë barazinë e fjalës dhe të të drejtave të çdo deputeti, pavarësisht ngjyrave partiake.
Rasti i fundit me deputeten Albana Vokshi dhe referenca e ulët e seksiste e Taulant Ballës, që i tha se atë mund ta telefononte në numrin erotik 0900, provoi edhe njëherë hallin që e ka zënë kryetarin e Kuvendit. Ai nuk guxoi t’i ndërpriste fjalën Ballës, ndërkohë që opinioni publik e ka parë në çdo senacë parlamentare t’u heqë mikrofonin e të përjashtojë për hiçgjë me disa ditë me radhë deputetët e opozitës.
Përballë fjalorit fyes seksist të Ballës ndaj një deputeteje femër, Peleshi zgjodhi procedurën. T’i thuash Gazment Bardhit “ndiqni procedurën” ndërkohë që fyerja po ndodh në transmetim direkt, më së paku është tallje me rolin e Kryetarit të Kuvendit.
Kur Sali Berisha përdori flajën “prapanicë” ndaj Belinda Ballukut, Peleshi ia hoqi fjalën me shpejtësi. Por kur e njëjta fjalë u përdor 3 herë pak minuta më vonë nga Sara Mile e Elbasanit, ai e lejoi të flasë qetësisht.
Kështu, në pak muaj, shqiptarët kanë parë transformimin e Niko Peleshit nga një dirigjent i ndershëm, në drejtues të një teatri të dirigjuar.
Zërat në korridoret Kuvendit thonë se Peleshi është nën presionin e vazhdueshëm të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Dhe nuk duken të pabaza. I buti dhe teknokrati Niko po e sheh veten nën një sulm të pamenaxhueshëm nga të gjitha anët. Taulant Balla i kërkon të jetë më i egër me opozitën. Opozita i kujton leshelinë që po bën duke përndjekur deputetët e saj.
Ky lloj drejtimi e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një institucion që ka humbur rolin dhe peshën e vet. Ai ngjan më shumë me një cirk ku drejtuesi i saj është i dënuar të bëjë për të qeshur ata që e kanë vendosur në atë detyrë. Dhe më shumë sesa për çfarë po kalon opozita nën drejtimin e Nikos, Rama dhe Balla kanë më shumë arsye të qeshin me formën që i kanë dhënë Peleshit, atë të një qengji të butë, që kërkon të ngjallë frikë me maskën e ujkut që i kanë vënë./ Zoom.al