zoom

Slider

Nga projekti për t’u bërë qendër teknologjie, Piramida e Tiranës bëhet restorant i Arbana Osmanit

Në maj të këtij viti, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit shpallën thirrjen për kompanitë që janë të interesuara të marrin me qira ambiente te Piramida e Tiranës.

Thirrja ishte pjesë e një projekti madhor për rijetësimin e Piramidës së Tiranës dhe transformimin e saj në një qendër multi-funksionale dhe teknologjie për të rinjtë.

Sipas planit, në një pjesë kryesore të godinës do pozicionet TUMO Tirana, një program passhkollor, ku nxënësit e moshave 12-18 vjeç mund të zgjerojnë aftësitë e tyre krijuese dhe analitike në 8 disiplina të ndryshme: Programim; Animacion; Zhvillimi i Lojërave; Dizajn Grafik; Realizimi i filmave; Muzikë; Robotika dhe Modelim 3D. Ndërsa pjesa tjetër e ambienteve do t’iu ofrohet me qira subjekteve private të interesuara. nga sektorë të tillë si: Start Up, biznese nga industria e teknologjisë digjitale, industritë krijuese, artet, arsimi dhe media.

Në mars, kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij Facebook, fotot e transformimit të Piramidës.

“Mirëmëngjes, dhe me punën e përditshme në kantierin e Piramidës së Tiranës, e cila së shpejti do të jetë gati për qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në Ballkan, ju uroj një javë të mbarë,”- shkroi kryeministri.

Por këtë të martë, u mësua se një pjesë e katit të parë të Piramidës do t’i jepet kompanisë së prezantueses Arbana Osmani për të ndërtuar aty një bar restorant dhe fast food.

Më poshtë është edhe ekstrakti i kompanisë.

Media të ndryshme online shkruajnë se kjo është një qokë e majme për Osmanin, e cila prej kohësh është vënë në rreshtin e personazheve publike që mbrojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.

Kompania me emrin Bana’s ka vënë si adresë të saj në ekstraktin e depozituar në QKB pikërisht katin e parë të Piramidës, e cila u nis të bëhej qendra më e madhe e teknologjisë në rajon, por po rrezikon të përfundojë në vend sufllaqesh./ Zoom.al