zoom

Slider

Nga lidhja më e bukur e Hollywood tek përdhunimi dhe dhuna – Publikohet padia e Cassie ndaj reperit

Ikona e hip hop-it, Sean “Diddy” Combs është akuzuar për përdhunim dhe abuzim në një padi të ngritur nga këngëtarja Cassie që pretendon se ai përdori rrjetin e tij të fuqishëm për ta mbajtur të izoluar në një marrëdhënie të dhunshme me të.

Cassie, emri i vërtetë i së cilës është Casandra Ventura, ishte në lidhje me Diddy-n për më shumë se një dekadë. Ajo pretendon se gjatë marrëdhënies së tyre, ai e sulmoi disa herë – duke e rrahur dhe përdhunuar egërsisht – dhe kontrolloi çdo aspekt të jetës së saj, raportoi New York Times të enjten. Ajo u përball me “një cikël abuzimi, dhune dhe trafikimi seksual” derisa marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2018, sipas padisë.

Cassie tha në një deklaratë për Times se pas “viteve në heshtje dhe errësirë”, ajo ishte “më në fund gati të tregonte historinë dhe të fliste për veten dhe për të mirën e grave të tjera që përballen me dhunë dhe abuzim në marrëdhënie”.

Padia tronditëse përshkruan detaje të errëta të marrëdhënies së tyre, në të cilën Combs fitoi kontrollin e jetës së saj personale dhe profesionale dhe e nënshtroi atë ndaj dhunës për vite me radhë, takimeve seksuale të detyruara dhe kërcënimit të vazhdueshëm.

Diddy filloi të ndiqte në mënyrë agresive Cassie-n, e cila nënshkroi një kontratë me kompaninë e tij Bad Boy Records në moshën 19-vjeçare dhe shpejt u bë e famshme, thuhet në padi. Cassie pretendon se Diddy shkoi në festën e 21-vjetorit të saj, e puthi me forcë dhe menjëherë ushtroi fuqinë dhe ndikimin e tij.

Për shkak të statusit të tij si themelues i Bad Boy Records, pretendon padia, Cassie mendoi se nuk mund të refuzonte kërkesat – ose ofertat për drogë – pa rrezikuar karrierën e saj. Ajo pretendon se ai e joshi atë me apartamente, veshje dhe e futi në rrugën e drogës, një mënyrë për ta mbajtur “të kënaqur dhe të bindur”.

Ai u bë kontrollues dhe abuziv, sipas padisë, duke e goditur shpesh me grusht, shkelma dhe këmbë. Ai dyshohet se e detyroi Cassie-n të mbante armët e tij në çantë në të paktën dy raste.

Pretendohet gjithashtu si 54-vjeçari e detyroi Cassie-n të përfshihej “rregullisht në akte seksuale me meshkuj që ishin punonjës seksi” që Diddy i fotografonte dhe i filmonte. Asaj iu dha drogë para dhe gjatë akteve seksuale, duke e lejuar të “shkëputej gjatë këtyre takimeve të tmerrshme”, sipas padisë.

Cassie ishte viktimë e trafikimit seksual, pasi asaj iu kërkua të kryente akte seksuale të detyruara në qytete të shumta, thuhet në padi. Gjithashtu pretendohet se në vitin 2015, Diddy e rrahu Cassie-n aq rëndë sa kur roja e tij e sigurisë dhe ndihmësi i saj panë “dy sy të zinj, një buzë të plasur dhe të mavijosur dhe një gërvishtje të madhe në ballë”, ata filluan të qajnë.

Ai përdori kërcënimin për dhunë të mëtejshme si dhe rrjetin e tij për ta mbajtur Cassie-n në marrëdhënie sa herë që ajo përpiqej të largohej, sipas padisë. Pasi ajo filloi një lidhje të shkurtër me Kid Cudi në vitin 2012, Diddy dyshohet se hodhi në erë makinën e reperit. Kid Cudi konfirmoi ngjarjen për New York Times, duke thënë: “Kjo është e gjitha e vërtetë”.

Deri në vitin 2018, Cassie ishte e dëshpëruar për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre. Pas një darke ku besonte se do të diskutonin çështjen, Diddy u fut me forcë në shtëpinë e saj dhe e përdhunoi, sipas padisë. Menjëherë pas kësaj, ajo u largua nga shtëpia, të cilën ai e kishte paguar, i ktheu makinën që i kishte blerë dhe u nda përfundimisht.

Dëmet dhe traumat që përjetoi kanë kërkuar “kujdes intensiv mjekësor dhe psikologjik”.

“Prandaj, zonja Ventura kërkon drejtësi për dekadën e jetës së saj që z. Combs ia hoqi me kërcënime për dhunë, përdorim të tepruar të drogës, abuzim fizik dhe psikologjik dhe skllavëri seksuale,” thuhet në padi.

Padia kërkon dëmshpërblim për paratë e humbura, shqetësimet mendore dhe shqetësimet e rënda emocionale.

Një përfaqësues i Combs – i cili është njohur edhe me emrat si Puff Daddy, P Diddy, Diddy, Love dhe Puffy – mohoi pretendimet, duke shkruar se akuzat ishin “fyese dhe skandaloze” dhe erdhën pasi Ventura kërkoi 30 milionë dollarë nga ai.

Një avokate e Cassie-t tha për New York Times se asaj iu ofrua një shumë me “tetë shifra për t’i mbyllur gojën dhe për të parandaluar padinë”, të cilën ajo e refuzoi.