Aplikacion
Nga Skerdi Zahaj
Vështrimi i tjetrit ka rëndësi, por vështrimi drejt vetes është ai që të çliron vërtet.
Irvin D. Yalom
Dikur lexoje për të kuptuar veten. Për të hyrë më thellë. Për të mos i marrë përgjigjet si të gatshme, por për t’i kërkuar me durim dhe ndershmëri. Tani rri online, me telefon në dorë, ndërkohë që algoritmi të ofron një identitet të gatshëm: “Ti je ky.” Jo sepse të njeh, por sepse e thotë bukur dhe bindshëm.
Jetojmë në kohën e mbingopjes me informacion dhe të urisë për kuptim. Në vend të librave kemi “reels”.
Në vend të analizës kemi fraza të shkurtra që tingëllojnë të mençura. Në vend të vetë-reflektimit kemi zëra të panjohur që flasin me siguri për ndjenjat tona — në tridhjetë sekonda dhe me një muzikë që të prek në prapaskenë.
Edhe psikologjia është kthyer në “fast food” për mendjen. Manuali DSM-5-TR, me 1,052 faqe dhe 541 diagnoza të dallueshme, zëvendësohet nga video me tituj si: “A është ai narcizist?”, “3 shenja që ke ankth”, “A mund të jesh me ADHD dhe s’e ke ditur?”, “Kjo është trauma jote!”. Dhe ne… e besojmë. Sepse është e shpejtë. Sepse është emocionale. Sepse zëri është i butë, bindës dhe plot pasion. Psikiatri, psikologu klinik dhe terapisti zëvendësohen nga influencer-at në Instagram dhe TikTok.
Por këtu nis rreziku më i madh i kohës tonë: iluzioni i dijes. Efekti Dunning-Kruger. Ndjesia se po kuptojmë thelbin e një çështjeje, vetëm sepse kemi dëgjuar diçka për të. Sa më pak dimë, aq më shumë mendojmë se dimë mjaftueshëm. Dhe në këtë vorbull, shumë ndihen sot ekspertë të vetes pa asnjë formim, pa asnjë proces të thellë vetëkuptimi. Ky vetëbesim i pavend, i ushqyer nga fraza të thjeshtëzuara dhe nga “like”-at, po e zëvendëson kërkimin me ndjenja të shpejta dhe shpesh të gabuara.
Por dija e vërtetë nuk është e thjeshtë. Ajo është e thellë, e ngatërruar, shpesh e paqartë. Nuk është një etiketë. Është një udhëtim. Psikopatologjia është një fushë ku asgjë nuk është bardh e zi. Një simptomë nuk të bën menjëherë me çrregullim. Një tipar nuk është diagnozë. Vështirësia në përqendrim, ndjeshmëria emocionale, impulsiviteti, apo një reagim i caktuar ndaj nje situate, nuk janë, automatikisht, ADHD apo trauma. Janë copëza që duhen parë në kontekst, me kujdes, me sy profesional, jo me etiketë të menjëhershme dhe përshkrim krejt të përgjithshëm.
Dhe ata që flasin me siguri në internet, shpesh nuk kuptojnë se psikologjia është shkencë, jo përshtypje. Dhe si çdo shkencë, ajo është probabilitare, jo absolute. Ajo dyshon, heton, rishikon, mëson dhe zhvillohet. Nuk shpjegon me 3 shembuj dhe 1 bindje, por me vite kërkimi dhe qindra përjashtime.
Kur dija thjeshtohet tej mase, ajo nuk ndihmon më. Fillon të keqinformojë. Të kufizojë. Të dëmtojë. Dhimbja bëhet përmbajtje. Trauma bëhet ‘trend’. Dhe njeriu… bëhet i vetëm, në një botë ku të gjithë duken sikur po e kuptojnë veten — ndërkohë që realisht po largohen gjithnjë e më shumë prej saj.
Kur keqkuptohet psikologjia, nuk dëmtohet vetëm teoria, por dëmtohet mënyra si e shohim veten dhe të tjerët. Fillojmë të ngatërrojmë ndjesinë me diagnozën. Identifikimin me të kuptuarin. Dhe etiketën me të vërtetën. Krijohet një burg i padukshëm vetë-përcaktimesh, ku çdo veprim që bëjmë e justifikojmë me atë që “lexuam diku”. Dhe më pas ndalojmë. Ndalojmë së pyeturi, ndalojmë së kërkuari më thellë. Ndalojmë së besuari se mund të ndryshojmë.
Ndërkohë, një shoqëri e tërë fillon ta banalizojë shëndetin mendor. Fjalët “traumë”, “narcisist”, “gaslighting”, “toksicitet” bëhen si vula që i vendosim sipas dëshirës. Terapia zëvendësohet me një performancë emocionale. Këshilla profesionale me tone delikate, por krejtesisht të rreme. Dhe mikrofonin nuk e merr ai që ka më shumë dije — por ai që ka më shumë ndjekës.
Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh veten online. Por është naive të mendosh se mund ta gjesh vetëm nga një video, një citat apo një diagnozë që “tingëllon si ti”. Mendja njerëzore është më e thellë se një përshkrim. Dhimbja është më komplekse se një etiketë. Dhe shërimi kërkon më shumë se një “like”. Kërkon përpjekje. Kërkon dije. Kërkon ndihmë të saktë. Kërkon durim.
Rikthehu te leximi. Te pyetjet pa përgjigje të menjëhershme. Te dyshimi që të ndihmon të ndalosh. Rikthehu te dija që nuk të burgos në një identitet, por të çliron nga paragjykimet dhe nga frika. Sepse psikologjia nuk është për t’u klikuar. Është për t’u kuptuar. Dhe pastaj, për t’u ndarë me përulësi, me kujdes dhe me përgjegjësi./ Zoom.al