Aplikacion
Mijëra anëtarë të Partisë Demokratike pritet t’u drejtohen kutive të votimit të shtunën, më 23 maj, për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Procesi do të zhvillohet sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërsa në fletën e votimit do të jetë vetëm emri i Sali Berishës, i cili kërkon një mandat të ri në krye të selisë blu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë apel anëtarëve të forcës politike që të marrin pjesë në procesin e nesërm për votëbesimin e kryetarit të partisë, duke e konsideruar atë si një standard modern të demokracisë së brendshme.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha theksoi se demokratët duhet të votojnë të lirë dhe sipas bindjes së tyre, ndërsa e cilësoi sistemin “një anëtar, një votë” si formën më të avancuar të zgjedhjes dhe konfirmimit të drejtuesve politikë.
Sipas kreut të PD-së, ky model garanton përfshirje të plotë të anëtarësisë dhe rrit transparencën në vendimmarrje.
“Së pari e shfrytëzoj këtë rast të përshëndes përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kudo që janë dhe t’i ftoj në një akt përgjegjësie, në një akt vlerësimi për qëndresën e tyre, për qëndrimet e tyre, të votojnë nesër në liri të plotë, sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre, në një proces i cili përfaqëson nivelet më të larta të konfirmimit apo zgjedhjes së kryetarëve të partive.
Procesi i zgjedhjes me një anëtar një votë apo i votëbesimit me një anëtar një votë, është forma më epërore e cila për hir të së vërtetës, në 70-75% të rasteve që përdoret, është me një kandidat.
Jo se ajo nuk është e hapur, ajo është plotësisht e hapur, por sepse të tjerë, personalitete të tjera, ngurojnë një garë ‘një votë një anëtar’ për arsye të pasigurisë që ka ajo në rezultatin e fitores dhe nuk duan të përballen të regjistrojnë një jo-fitore.
Por duhet të jenë krenarë, çdo demokrat dhe demokrate duhet të jetë krenar, se nesër voton në zbatim të një procesi që është aktualisht procesi më modern, në një kohë kur partia e krimit nga 2009 e gjer sot e ka fshirë fjalën votë nga fjalori i vet. Kjo është!
Tani, sa do votojnë? Unë uroj të votojnë çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Sali Berisha nuk lejoi kandidimin e 5 demokratëve të tjerë, atë të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt duke dalë i vetëm përballë demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që t’i shpall zgjedhjet e brendshme të PD të pavlefshme./ Zoom.al
Bashkëshorti i Elisa Spiropalit kallëzohet në polici për kanosjen e zyrtares së lartë