zoom

Aktualitet

“Nesër mund të jesh ti”, 144 aktorë e regjisorë i drejtohen AMA: Hiqeni videon e dhunës Leka-Elia

Një listë me 144 aktorë dhe regjisorë, përfshirë emra të njohur të skenës, i janë drejtuar me një kërkesë AMA-s të reagojë për publikimin e videos së momentit kur aktorja Elia Zaharia filmohet nga ish-bashkëshorti i saj, Princ Leka Zogu pas një konflikti brenda familjes.

Deklaratat është mbështetur nga emra të njohur të skenës si Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Luiza Xhuvani e të tjerë, siç parashihen në listën më poshtë.

Përveçse dhe vetë aktore, Elia është vajza e aktores së njohur Yllka Mujo.

Reagimi i plotë:

“Ky 8 MARS do  të ishte ironikisht “ideali” për të folur për të drejtat e grave.  Kemi 48 orë që shohim sesi po i bëhet një gjyq publik një gruaje, një nëne, një artisteje, një aktoreje, që po përballet me një periudhë të vështirë familjare. Kush prej jush që po e lexon këtë shënim nuk ka provuar të shohë veten në një moment dobësie, konflikti, apo nuk ka thënë një fjalë më shumë, kush prej jush nuk është lënduar, zhgënjyer nga ai që ka dashur më shumë, le të hedhë gurin e parë!

Video e bërë publike ku duket aktorja Elia Zaharia, që po ushqen me klikime portale e disa media, kërkon me urgjencë reagimin e AMA-s institucionit që ka përgjegjësi të plotë për fshirjen dhe bllokimin e saj.

Shoqëria e internetit është tashmë një shoqëri e kontaminuar dhe që askush nuk ka kontroll mbi të, por do t’ju luteshim si njerëz, secili individualisht ta fshijë një koment negativ, dhe kështu, pikë-pikë mund të jemi duke kontribuar për një shoqëri më të mirë. Nesër mund të jesh ti protagonisti i kësaj fushate të cenimit të privatësisë dhe imazhit!

Megjithë këtë baltë komentesh të hedhur mbi një grua, falenderojmë të gjithë ata që nuk janë bërë pjesë. Është e thjeshtë të jesh spektator duke parë dhimbjen dhe jetën e tjetrit, por le të bëhemi nga ky 8 MARS, aktorët e një ndryshimi për mirë!”. /ZOOM.AL/