Aplikacion
Në finalen për shiritin e “Miss Anglia”, Melisa Raouf solli një revolucion të vogël brenda konkursit të bukurisë.
Është hera e parë në 94 vjet histori, që një konkurrente vendos të marrë pjesë pa grim. Ajo u shfaq pa make up në fytyrë, ndërsa bëri thirrje që njerëzit t’i duan të metat e tyre.
“Njerëzit duhet t’i duan të metat dhe papërsosmëritë e tyre,” shpjegoi 20-vjeçarja për ‘Independent’.
Melisa Raouf, studente e Shkencave Politike, ka vendosur të sfidojë konventat sociale që duan që gratë të grimohen dhe solli revolucionin e saj të vogël pa grim në “Miss Anglia”.
“Për mua është shumë e rëndësishme sepse kam përshtypjen se shumë vajza, të moshave të ndryshme, grimohen sepse ndihen pothuajse të detyruara ta bëjnë këtë nga presionet e jashtme. Nëse një person është i kënaqur me lëkurën e tij, ai nuk duhet të ndihet i detyruar ta mbulojë atë me grim. Dobësitë tona na bëjnë ata që jemi dhe këto e bëjnë çdo individ unik. Gjithmonë kam menduar se nuk jam mjaftueshëm e bukur dhe së fundmi kam pranuar faktin që jam e bukur ashtu siç jam dhe për këtë kam vendosur të konkurroj pa make-up. Kam besim në veten time, ndërsa kur kam grim ndihem e bllokuar. Kjo jam unë dhe nuk kam frikë t’u tregohem të tjerëve”- tha ajo./ Zoom.al