zoom

Aktualitet

Ndahet nga jeta ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa

Ndahet nga jeta ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa

Aktorja e mirënjohur dhe mbretëresha e skenës shqiptare, Margarita Xhepa është ndarë nga jeta.

Ikona e kinematografisë ka ndërruar jetë një ditë pasi festoi 91-vjetorin e lindjes.

Margarita Xhepa është konsideruar si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, që ka skalitur memorien e publikut shqiptar me role brilante që prej fillimit të saj, në vitet 60 dhe deri më tani.

Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.

Gjatë karrierës së saj të pasur, Margarita Xhepa interpretoi mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në vitin 2007, aktores iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit, ndërsa i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.

Kush ishte aktorja e mirënjohur shqiptare?

Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek Lumi i vdekur (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa), Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna tek Përballë vetes (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Veç roleve në teatër ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron Vitet e para dhe Gjurmët, me I. Muçajn e K. Mitron Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Një djalë edhe një vajzë dhe Apasionata, me Viktor Gjikën, Gjeneral gramafoni, me E. Musliun,Rrethi i kujtesës dhe Vitet e pritjes (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, Dora e ngrohtë, me Dhimitër Anagnostin, Gurët e shtëpisë sime, me P. Milkanin, Pranvera s’erdhi vetëm, me S. Kumbaron, Koncert në vitin 1936, me Gj. Xhuvanian E diela e fundit dhe I dashur armik.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare./ Zoom.al

Postime të lidhura