zoom

Ide & Blog

Nacionalizmi i ri dhe roli i tij në politikën globale

Nacionalizmi i ri dhe roli i tij në politikën globale

Nacionalizmi është kthyer dhe po luan një rol qendror në politikën globale.

Projekti i globalizimit  pas Luftës së Ftohtë, padyshim që jepte përfitime të mëdha por  krijoi gjithashtu kushtet për ringjalljen e nacionalizmit në mbarë botën. Me kredibilitetin e tyre ndërkombëtar në shkallë të ulët, politikëbërësit perëndimorë do të duhet të rimendojnë se si të angazhohen ekonomikisht dhe politikisht me vendet që  kanë përqafuar nacionalizmin.

Euforia pas rënies së Murit të Berlinit në 1989 nuk ishte vetëm për atë që Francis Fukuyama e quajti një “fitore të paturpshme të liberalizmit ekonomik dhe politik”. Bëhej fjalë edhe për rënien e nacionalizmit. Me integrimin e shpejtë të ekonomisë botërore, supozohej se njerëzit do të linin pas identitetet e tyre kombëtare. Projekti i integrimit evropian – i përqafuar me entuziazëm nga të rinj të arsimuar mirë– nuk ishte thjesht mbikombëtar, por postkombëtar.

Por nacionalizmi është kthyer dhe po luan një rol qendror në politikën globale. Trendi nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara apo Francë, ku ish-presidenti Donald Trump dhe liderja Kombëtare e ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen, respektivisht, udhëheqin koalicione të reja nacionaliste. Nacionalizmi po nxit gjithashtu lëvizjet populiste në Hungari, Indi, Turqi dhe shumë vende të tjera. Kina ka përqafuar një autoritarizëm të ri nacionalist dhe Rusia ka nisur një luftë nacionaliste që synon të zhdukë kombin ukrainas.

Janë të paktën tre faktorë që nxisin nacionalizmin e ri. Së pari, shumë nga vendet e prekura kanë ankesa historike. India u shfrytëzua sistematikisht nga britanikët nën kolonializëm dhe Perandoria Kineze u dobësua, u poshtërua dhe u nënshtrua gjatë Luftërave të Opiumit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nacionalizmi modern turk është gjallëruar nga kujtimet e pushtimit perëndimor të pjesëve të mëdha të vendit pas Luftës së Parë Botërore.

Së dyti, globalizimi rriti tensionet para-ekzistuese. Jo vetëm që thelloi pabarazitë në shumë vende (shpesh në mënyra të padrejta, duke pasuruar ato me lidhje politike); ai gjithashtu gërryen traditat e vjetra dhe normat shoqërore.

Dhe, së treti, udhëheqësit politikë janë bërë gjithnjë e më të aftë dhe të paskrupullt në shfrytëzimin e nacionalizmit për t’i shërbyer agjendave të tyre. Për shembull, nën sundimin autoritar të presidentit kinez Xi Jinping, ndjenjat nacionaliste po kultivohen përmes kurrikulave të reja të shkollave të mesme dhe fushatave propagandistike.

Në mënyrë të ngjashme, nën regjimin nacionalist hindutva të kryeministrit indian Narendra Modi, demokracia më e madhe në botë i është dorëzuar joliberalizmit mazhoritar. Në Turqi, presidenti Recep Tayyip Erdoğan fillimisht iu shmang nacionalizmit, madje duke udhëhequr një proces paqeje me kurdët në fillim të viteve 2010. Por që atëherë ai ka përqafuar me gjithë zemër nacionalizmin dhe ka goditur mediat e pavarura, liderët e opozitës dhe disidentët.

Nacionalizmi i sotëm është gjithashtu një reagim vetë-përforcues ndaj projektit të globalizimit të pas Luftës së Ftohtë. Në vitin 2000, kandidati i atëhershëm presidencial George Ë. Bush e përshkroi tregtinë e lirë si “një aleat të rëndësishëm në atë që Ronald Reagan e quajti “një strategji përpara për lirinë”… Tregtoni lirisht me Kinën dhe koha është në anën tonë.” Shpresa ishte që tregtia dhe komunikimi global do të çonin në konvergjencë kulturore dhe institucionale. Dhe ndërsa tregtia bëhej më e rëndësishme, diplomacia perëndimore do të bëhej më e fuqishme, sepse vendet në zhvillim do të kishin frikë të humbnin aksesin në tregjet dhe financat amerikane dhe evropiane.

Nuk ka funksionuar kështu. Globalizimi u organizua në mënyra që krijoi të ardhura të mëdha për vendet në zhvillim që mund të riorientonin ekonomitë e tyre drejt eksporteve industriale duke mbajtur gjithashtu pagat e ulëta (‘salca sekrete’ e rritjes ekonomike së Kinës) dhe për ekonomitë në zhvillim që ishin të pasura me naftë dhe gaz. Por të njëjtat prirje kanë fuqizuar liderët nacionalistë karizmatikë.

Në rastin e Turqisë, perspektiva e pranimit në Bashkimin Evropian supozohej të përmirësonte të dhënat e vendit për të drejtat e njeriut dhe të përforconte institucionet e tij demokratike. Dhe për një kohë, u bë. Por ndërsa kërkesat nga përfaqësuesit e BE-së u shumuan, ato u bënë ushqim për nacionalizmin turk. Procesi i pranimit ngeci dhe demokracia turke është dobësuar që atëherë.

Nacionalizmi që nxit pushtimin rus të Ukrainës pasqyron të njëjtët faktorë të renditur më lart. Shumë elita politike dhe të sigurisë ruse besojnë se vendi i tyre është poshtëruar nga Perëndimi që nga rënia e Murit të Berlinit. Integrimi i Rusisë në ekonominë botërore i ka sjellë pak përfitime popullatës së saj, ndërkohë që i ka dhënë pasuri të paimagjinueshme një kuadri oligarkësh të lidhur politikisht, të paskrupullt, shpesh kriminalë. Dhe megjithëse presidenti rus Vladimir Putin kryeson një sistem të gjerë klientelizmi, ai kultivon dhe shfrytëzon me mjeshtëri ndjenjat nacionaliste.

Nacionalizmi rus është një lajm i keq për Ukrainën, sepse e ka lejuar Putinin ta bëjë regjimin e tij më të sigurt se sa do të kishte qenë. Sanksione ose pa sanksione, ai nuk ka gjasa të rrëzohet, sepse ai mbrohet nga miqtë që ndajnë interesat e tij dhe ndjenjat nacionaliste. Nëse ka ndonjë gjë, izolimi mund të forcojë më tej dorën e Putinit. Nëse lufta nuk e dobëson regjimin e tij, ajo mund të vazhdojë pafundësisht, pavarësisht se sa e dëmton ekonominë ruse.

Kjo epokë e ringjalljes së nacionalizmit ofron disa mësime. Mund të na duhet të rimendojmë se si i organizojmë proceset e globalizimit ekonomik. Nuk ka dyshim se tregtia e hapur mund të jetë e dobishme si për ekonomitë në zhvillim ashtu edhe për ato të zhvilluara. Por ndërkohë që tregtia ka ulur çmimet për konsumatorët perëndimorë, ajo gjithashtu ka shumëfishuar pabarazitë dhe pasuruar oligarkët në Rusi dhe hakerat e Partisë Komuniste në Kinë. Kapitali, në vend të punës, ka qenë përfituesi kryesor.

Prandaj, ne duhet të konsiderojmë qasje alternative. Mbi të gjitha, marrëveshjet tregtare nuk duhet të diktohen më nga korporatat shumëkombëshe që përfitojnë nga arbitrazhi i pagave artificialisht të ulëta dhe standardeve të papranueshme të punës në tregjet në zhvillim. As nuk mund të lejojmë t’i bazojmë marrëdhëniet tregtare në avantazhet e kostos të krijuara nga karburantet fosile të lira dhe të subvencionuara.

Për më tepër, Perëndimit mund t’i duhet të pranojë se nuk mund të ndikojë në mënyrë të besueshme në trajektoret politike të partnerëve të tij tregtarë. Ai gjithashtu duhet të krijojë masa të reja mbrojtëse për të siguruar që regjimet e korruptuara, autoritare të mos ndikojnë në politikën e saj. Dhe, më e rëndësishmja, udhëheqësit perëndimorë duhet të pranojnë se do të fitojnë më shumë besueshmëri në çështjet ndërkombëtare nëse pranojnë sjelljen e keqe të vendeve të tyre në të kaluarën si gjatë epokës koloniale ashtu edhe gjatë Luftës së Ftohtë.

Duke njohur influencën e limituar perëndimorë në politikat e shteteve të tjera nuk do të thotë që të pranojë abuzimet e të drejtave të njeriut. Por kjo do të thotë që qeveritë perëndimore duhet të pranojnë një qasje të re, duke kufizuar angazhimin zyrtarë dhe duke u mbështetur më shumë në veprimtaritë e shoqërisë civile.  Nuk ka asnjë formulë sekrete për të mposhtur autoritarizmin nacionalist por ka mundësi të mira për ta kundërshtuar atë./ DARON ACEMOGLU, “Project Syndicate”- shqipëruar nga zoom.al/

SHËNIM: DARON ACEMOGLU është profesor i ekonomisë në MIT dhe autorë i një sërë librash.