zoom

Aktualitet

Motoristët e Wolt në protestë: Na kanë ulur tarifat, po na zëvendësojnë me indianë!

Motoristët e Wolt në protestë: Na kanë ulur tarifat, po na zëvendësojnë me indianë!

Një numër korrierësh që bashkëpunojnë me platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt kanë zhvilluar një protestë në Tiranë, duke shprehur pakënaqësi për kushtet e punës dhe ndryshimet në mënyrën e pagesës.

Në videot e publikuara në rrjete sociale, korrierët shfaqen duke qarkulluar me motorët e tyre në rrugët e kryeqytetit, ndërsa bien vazhdimisht boritë për të tërhequr vëmendjen dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Sipas disa mesazheve të dërguara nga vetë korrierët, ata pretendojnë se tarifat e pagesës për kilometër janë ulur, gjë që sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e tyre. Disa prej tyre thonë gjithashtu se janë përballur me presion dhe paralajmërime për mundësinë e largimit nga puna.

Protestuesit pretendojnë gjithashtu se disa kolegë të tyre janë larguar nga puna pasi është mësuar për pjesëmarrjen e tyre në protestë, ndërsa të tjerë thonë se janë paralajmëruar të mos kundërshtojnë publikisht kompaninë.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga korrierët lidhet me pretendimin se kompania mund të zëvendësojë një pjesë të tyre me punonjës të huaj, të cilët sipas tyre mund të paguhen me tarifa më të ulëta.

Sipas korrierëve, protesta është organizuar për të kërkuar pagesa më të drejta për kilometër dhe për të ngritur zërin ndaj asaj që ata e konsiderojnë presion dhe kërcënime nga drejtuesit lokalë të kompanisë.