zoom

Politikë

“Mori 2 kate tek kullat te Liqeni“/ Basha-Bardhit: Mashtrim! Flirton me atë që i thoshte vrasës

Përplasjet mes dy ish-aleatëve, Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha, si edhe akuzat ndaj njëri-tjetrit kanë vazhduar edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Kreu i Grupit të PD, Bardhi ka hedhur akuza se kryetari i kësaj force politike, Basha ka marrë dy kate tek kullat në hyrje të Liqenit Artificial.

Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se kur demokratët luftonin për të bërë Bashën kryeministër, ai bëri porosi për kullën më të shtrenjtë të Tiranës, në hyrje të liqenit.

Gazment Bardhi: Më lejoni të sqaroj që situata e provokuar nga z.Basha janë utë përsëritura sa herë mazhoranca është në vështirësi.

Ju e mbani mend kur McGonigal pranoi pafajësinë, i kurdisur si lodrat e komunizmit nga Veliaj dhe Edi Rama, z. Basha erdhi në Kuvend ngriti çështjen e grupit parlamentar të PD.

Edhe sot, kur Rama do duhet të mbajë përgjegjës për deklaratat skandaloze për Kosovën, i kurdisur nga Balla vjen në kuvend dhe ngre një shqetësim që tashmë është i tejkaluar.

Kryetarja e Kuvendit e ka opinionin e ke drejtorisë juridike, z.Basha e di shumë mirë se cili është ky opinion, por ka interes që sa herë mazhorancës i duhet për të zhvendosur vëmendjen të vijë në kuvend de të ngrejë në mënyrë të përsëritur në të njëjtën çështje.

Në 2021 demokratët luftonin për të bërë Bashën kryeministër, ndërkohë që ai një muaj pasi humbur zgjedhjet i fut një porosi për kullën më të shtrenjtë të Tiranës, dhe ju e dini kush është. Është kulla në hyrje të liqenit.

Dhe pasi rikthehet, vetëshpallet në krye të Partisë Demokratike, në vend që të merret me opozitë ka dy-tre muaj që më shumë kohë kalon në zyrën e arkitekturës për mobilimin e apartamenteve dhe njësive tregtare se sa me të bërit opozitë.

Dhe sa i takon kullës 6 herë 4 kate nuk kam shkuar unë në garazhdet e apartamentit të pronarit kullës për t’i kërkuar ndjesë. Ka shkuar z.Basha.“

Basha nga ana tjetër u shpreh se akuzat janë gënjeshtra dhe theksoi se Bardhi po flirton sot me ata që deri dje quante vrasës.

Ai theksoi se nuk ka porositur kulla dhe as nuk kam marrë kate në asnjë kulla, duke i konsideruar mashtrime të dëshpëruara.

Lulzim Basha: “Aleanca e kullave dhe e non gratave nuk do ta bëjë pis e as do ta mbajë peng Partinë Demokratike. Njerëzit e dinë mirë çfarë përfaqësojnë këta individë dhe interesave të kujt i shërbejnë. Janë të njëjtët që sot flirtojnë me atë të cilit dje i thoshin vrasës.

Sa për gënjeshtrat e fundit: Unë as nuk kam porositur kulla dhe as nuk kam marrë kate në asnjë kullë. Këto janë mashtrime të dëshpëruara, pjesë e lojës së pisët dhe të vjetër të baltosjes.

Ndërsa çështja McGonigal është kthyer në aktakuzën më të rëndë ndaj sulmeve të ulëta kundër meje prej Edi Ramës e Sali Berishë, si edhe prej kujtdo tjetër që po përdoret prej tyre. Se kush e shpëtoi Edi Ramën nga llogaridhënia për Kosovën, e pamë mirë në konferencën e djeshme të kryetarëve dhe në konsensusin për të ruajtur imazhin e Ramës.

Kaq në respekt të qytetarëve, sepse asgjë nuk pres nga ata që për hallet dhe karriket e tyre, duan të na shfokusojnë nga problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ashtu si padrinoja non grata e humbi luftën e shpifjeve disa vjeçare, pasi koha e nxorri të vërtetën në dritë, edhe zëdhënësin e tij të radhës e pret i njëjti fat”