Aplikacion
Një modele ukrainase 20-vjeçare, e cila u zhduk pas një feste në fillim të këtij muaji, u gjet në Dubai e hedhur në anë të një rruge me lëndime të shumta trupore.
Maria Kovalchuk u zhduk pasi u kishte thënë miqve se ishte ftuar në një festë në një hotel më 9 mars. Ajo do të merrte pjesë në një festë me dy burra që u prezantuan si përfaqësues të biznesit të modelimit, sipas mediave ukrainase.
Më 19 mars, dhjetë ditë pasi ajo u zhduk për herë të parë, Maria u gjet e rrahur dhe e gjakosur në një rrugë në Dubai me gjymtyrët dhe shtyllën kurrizore të thyera. Ajo ndodhet në gjendje kritike dhe nuk është në gjendje të flasë.

Modelja i tha nënës së saj, Anna, se do të qëndronte me këta “biznesmenë” gjatë natës, por më pas ajo u zhduk. Maria kishte rezervuar një fluturim për në Tajlandë nga Dubai më 11 mars, por nuk u paraqit në aeroport.
Anna dhe miqtë e shqetësuar më pas kontaktuan autoritetet lokale të cilët nisën kërkimet për Marian. Pasi u gjet në rrugë, modelja u dërgua me urgjencë në spital dhe sipas nënës së saj iu nënshtrua 4 operacioneve.
Miqtë dhe familja shpresojnë që ajo të jetë në gjendje të shërohet plotësisht për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur.
“Ajo nuk ka asnjë dokument, telefon, asgjë. Dhe ajo nuk mund të flasë”, tha nëna e saj.