Aplikacion
Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet të martën me Jordaninë në një miqësore që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:00.
Para kësaj sfide, trajneri Sylvinho zhvilloi një konferencë për mediat, ku foli për strategjinë e ekipit, lojtarët që do të provojë dhe rëndësinë e ndeshjeve që vijojnë.
“Nuk besoj tek miqësoret. Çdo ndeshje duhet të luhet për fitore. Nesër në mëngjes do të kemi 11-shen dhe do të shohim si lojtarët kombinohen me njëri-tjetrin. Disa prej tyre janë me ne vetëm 6 muaj dhe kanë luajtur pak, por do të kenë mundësi”, tha trajneri.
Sylvinho theksoi se kombëtarja ka një skuadër që lufton me gjak, duke kërkuar mbështetjen e tifozëve për hapin tjetër të rëndësishëm, ndeshjet e nëntorit, që do të vendosin për kualifikimin në Play Off.
“Play-off? Nuk kam parë asnjë kundërshtar të frikshëm deri tani. Fokusimi ynë është te ndeshjet e nëntorit. Nga nesër, çdo miqësore është një mundësi për të testuar lojtarët dhe përgatitur ekipin”, shtoi trajneri.
Ai u ndal edhe te vlerësimi i lojtarëve, duke përmendur golashënuesin Rei Manaj si një shembull të lojtarit që sjell rezultate në fushë dhe që respektohet nga stafi dhe bashkëlojtarët./ Zoom.al