zoom

Lajme

Miqësoret para EURO 2024/ Anglia për turp, Gjermania fiton me shumë vuajtje! Reagimet e trajnerëve

Gjermania, vendi organizator i Euro 2024, zhvilloi të premten në mbrëmje testin e fundit miqësor, 7 ditë përpara startit të evropianit.

Pas barazimit zhgënjyes 0-0 në miqësoren e parë ndaj Ukrainës, këtë herë “Panzerat” i’a dolën të fitonin përballë Greqisë me përmbysje 2-1. Sfida filloi më mirë për helenët, të cilët realizuan golin e avantazhit ne minutën e 33-të me Masouras.

Në fraksionin e dytë të lojës, zëvendësimet e Nagelsmann dhanë frytet e duhura, me gjermanët që fillimisht barazuan me Havert në minutën e 56-të dhe më pas në fund në minutën e 89-të shënuan golin e fitores me Gross. Për teknikun e “Panzera-ve”, kjo fitore erdhi në momentin e duhur, për t’i dhënë më shumë moral dhe besim djemëve të tij, për të qenë gati për fillimin e evropianit.

“Në pjesën e parë, për herë të parë pas shumë kohësh, humbëm shumë topa. Edhe në pasime ishim shumë të ngadaltë në manovër. Për këtë gjë folëm në pushimin e sfidës. Në pjesën e dytë ndryshuam mënyrën e lojës, ishim më të zhdërvjellët në veprimet sulmuese. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për humorin në përgjithësi dhe për tifozët. Në fund tekniku gjermani, i pyetur për gabimin e Neuer-it, i del në mbrojtje portierit të tij: “Nuk lejoj asnjë diskutim mbi Neuer, është shumë e thjesht të drejtosh gishtin tek Neuer, por në atë rast kemi të bëjmë me disa gabime. Ai kreu tre pritje spektakolare më pas”, përfundoi deklaratën e tij Nagelsmann.

Kur Euro 2024 po “troket”, të premten në mbrëmje u zhvilluan të tjera takime miqësore, të cilat u shërbejnë teknikëve për të zgjidhur edhe dilemat e fundit në prag të evropianit. Në fushën zbriti edhe kombëtarja e Gareth Southgate, në Wembly, përballë përfaqësueses së Islandës. Por kur të gjithë prisnin triumfin e “Tre Luanëve” në shtëpinë e tyre, Islanda i shkaktoi kombëtares angleze, një humbje të hidhur, pikërisht 7 ditë përpara nisjes së kompeticionit.

Islanda e fitoi takimin 1 me 0, me një ndeshje që u vendos që në fillim me golin e shënuar në minutën e 12-të nga ana e Thorsteinsson. Përfaqësuesja angleze u shfaq e pafuqishme përgjatë gjithë takimit, pavarësisht aktivizimeve të Southgate në fraksionin e dytë. Një humbje që pavarësisht se vjen në një test miqësor, nuk kaloi pa u kontestuar nga tifozët anglezë, madje në përfundim të sfidës u dëgjuan edhe vërshëllima nga shkallët e stadiumit, për performancën e të besuarëve të Southgate.

Ky i fundit i pyetur nga gazetarët në përfundim të ndeshjes u shpreh se skuadra e tij nuk zhvilloi një ndeshje të mirë dhe me të drejtë tifozët mbetën të pakënaqur.

“I mirëkuptoj reagimet e tifozëve. Nuk zhvilluam një ndeshje për t’i lënë ata të kënaqur. Krijuam shumë raste për gol, të cilat nëse do t’i kishim finalizuar me sukses, do t’i kishin dhënë një tjetër drejtim zhvillimit të lojës”, theksoi ndër të tjera Southgate. Në fund ai u shfaq i shqetësuar për dëmtimin e Stones. Qendërmbrojtësi u detyrua të “braktis” sfidën që në fillim, pas një dëmtimi që mori në gju. Në ditët në vijim do të shikohet nëse John Stones do të jetë apo jo i gatshëm për sfidën e parë të “Tre Luanëve”, atë përballë Serbisë. /ZOOM.AL/