zoom

In Zoom

Ministrat e Brendshëm “kukulla” të qeverisë Rama dhe i paprekshmi Ardi Veliu

Të jesh i pari, por vetëm numerikisht. Të të cilësojnë numër njëshi, teksa pushteti yt shfryhet dhe asgjësohet para vartësve të tu. Të bllokohesh në qerthullin e pushtetit e të ndihesh komandant me një lavdi të gënjeshtërt, ose fare pa të. Ky duket se ka qenë fati i ministrave tanë të Brendshëm, së paku i dy të fundit.

Ish-ministri Sandër Lleshaj dhe ministri i sotëm, Bledi Çuçi janë ndeshur me të njëjtin faktor që ka përcaktuar imazhin, peshën dhe rrugëtimin e tyre në qeverisje: Ardi Veliun.

I njohur ndryshe si “Kambalja”, për shkak të agresionit thuajse ushtarak gjatë ushtrimit të detyrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit ka vënë jo pak herë në diskutim figurën e ministrave, duke përjashtuar këtu njeriun që e dërgoi në atë detyrë si të besuarin e vet, Fatmir Xhafajn.

Me dy të tjerët, historia ka qenë ndryshe.

Mungesë komunikimi dhe shpërfillje ka qenë marrëdhënia e Ardi Veliut me Lleshajn. Ministri i Brendshëm nuk kishte akses në asgjë, teksa Ardi Veliu i merrte urdhërat nga një tjetër zyrë.

“Pse nuk po shkarkohet Ardi Veliu”, ishte pyetja që do të qarkullonte në kronika dhe editoriale të ndryshme mediatike kur policia hidhte gaz lotsjellës pa limit dhe keqtrajtonte protestuesit e opozitës apo të rinjtë që u ngritën kundër vrasjes së bashkëmoshatarit të tyre Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Vrasja e Rashës ishte edhe motivi përse Lleshaj i dorëzoi dorëheqjen Edi Ramës, edhe pse ai nuk kishte asnjë përgjegjësi dhe përgjegjësia direkte shkonte te numri 1 i Policisë së Shtetit.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e tij, por Ardi Veliu vijoi detyrën normalisht. Arsyeja? A kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës.

“Pse duhet të japë dorëheqjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, çfarë u bë këtu. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është një figurë për t’u respektuar nga të gjithë, sepse është njeri i ndershëm. Është i drejtë, nuk është i pagabueshëm, por nuk ka lidhje me krimin, korrupsionin, që për fat të keq hera-herës e kanë njollosur uniformën e Policisë së Shtetit”, ishte reagimi i kryeministrit.

Në vend të tij ai sakrifikoi ministrin e Brendshëm, një bashkëpunëtor i hershëm, i propozuar edhe për president, të cilit ia pranoi dorëheqjen pa hezitim.

Majin e 2020-ës, policia do të përfshihej në një skandal mediatik kur një efektiv policie u filmua duke dhunuar një 15-vjeçar që kishte dalë pa leje nga Liqeni Artificial, duke shkelur shtetrrethimin e vendosur nga pandemia. Teksa të gjithë ishin sy e veshë ndaj asaj që Veliu do të deklaronte në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, duke pritur së paku një ndjesë dhe po ashtu të raportonte masat që ishin marrë ndaj efektivit, ai publikoi një video.

Materiali filmik shfaqte mamanë e të miturit me një pistoletë në dorë.

“Më lejoni t’u shfaq një video të mamasë së saj (duhet të thoshte të tij) dhe të shikoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë”, tha Ardi Veliu në parlament.

Por videoja që ai u shfaqi deputetëve ishte shkëputur nga një skenë filmi. Mamaja e të miturit, Zaida Çobo ishte aktore.

Kështu, vetë drejtori i policisë do të kryente publikisht dy vepra penale: shpifje e cënim të personalitetit të një shtetaseje dhe mashtrim para Kuvendit. E gjitha kjo e përkthyer së pari moralisht, por edhe nga ana ligjore do të nënkuptonte ikjen e tij.

Por Ardi Veliu e mbajti detyrën sërish. Ndërsa Sandër Lleshaj nuk mundi t’i kërkonte dorëheqjen apo të propozonte shkarkimin. Ardi Veliu vijonte të kishte mbrojtjen e Edi Ramës.

Teksa në rrjetet sociale qytetarët kërkonin largimin e Ardi Veliut, Edi Rama reagoi  kështu: “Gaboi, por unë nuk bëhem me moralistët e këtij vendi”.

Në protestat e opozitës, policia përdori si kurrë më parë sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës, aq sa Ardi Veliu u detyrua t’u shkruante nje letër ndjese bizneseve në rrugën para Parlamentit.

Opozita e përmendi disa herë kërkesën për shkarkim. Ai ishte akuzuar prej saj edhe si pjesëmarrës në inskenimin e çështjes Babale, pasi kishte pasur komunikime me Alfred Alizotin, një person me precedentë penalë, i përfshirë në këtë ngjarje.

Karrigia e ministrit të Brendshëm do t’i kalonte Bledi Çuçit, i cili gjatë intervistës së tij të parë në detyrën e re, u përball me pyetjen: Për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të DPPSH-së Ardi Veliu, Lleshaj “kokë turku”?

“Lleshaj kishte një veprim etik, ti mban disa kosto që nuk lidhen drejtpërdrejt me postin. Nëse do të isha në këtë situatë do ta jepja dorëheqjen”, deklaronte Çuçi, duke pranuar në këtë mënyrë “hegjemoninë Veliu”.

Burime në kupolën drejtuese të policisë thanë për Zoom.al se raporti i Veliut është problematik edhe me Çuçin dhe se ai nuk e përfill ministrin e Brendshëm.

Muajt e fundit vendi është shndërruar në nje habitat larjeje hesapesh, ku vetem në maj, brenda thjesht dhe vetëm 21 ditëve ndodhën 6 vrasje, 4 prej tyre atentate mafioze. Vrasje në Shkodër, ekzekutime në Elbasan, si dhe po ashtu në Vlorë.

Një postim i bërë në rrjetet sociale, në dukje batuzë e rëndomtë, por e rishpërndarë për të disatën herë do të tregonte shumë: Thanë 24 orë ujë, apo 24 orë vrasje?

Kështu teksa kronikat e zeza vijojnë njëra pas tjetrës dhe krimi i organizuar e pastrimi i parave kanë zaptuar vendin, pohuar nga raporti më i fundit i Moneyval-it (po kështu “The Economist” tregon se si pastrimi i parave të pista po rrit çmimet e aparatamenteve në Tiranë), natyrshëm të lind pyetja nëse policia po vepron vërtet ashtu siç duhet.

E gjitha kjo në një kohë kur kreu i policisë vijon të jetë Ardi Veliu.

Por përse Edi Rama e mbron aq fort kreun e kupolës së policisë?

“Një nga arsyet që nuk mund të heqë Ardi Veliun është se i duhet për votat që do të vijnë”, do të shprehej dhjetorin e 2020-ës anëtari i kryesisë së PD-së, Tomor Alizot.

Imazhi i policisë nuk shpëtoi pa u dëmtuar as gjatë periudhës zgjedhore. Vdekja e Pjerin Xhuvanit rivendosi në pikëpyetje forcën e policisë dhe mbi të gjitha drejtimin e saj. Ardi Veliu gënjeu publikisht kur tha se nuk kishte materiale kompromentuese në makinën që kishin ndaluar simpatizantët e PD-së.

Vitin e shkuar, PD do të deklaronte se Edi Rama dhe Ardi Veliu janë një, duke shtuar që drejtori, të cilin Rama i ngriti lapidar rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme në vitet 2002-2003.

“Në vitet 2002-2003, kur shërbente më policinë e Vlorës, ka qenë i implikuar në veprimtari të paligjshme. Ka qenë i implikuar në lëvizjet klandestine. Ka favorizuar kontrabandën e naftës. Ka ndihmuar një polic për pasaporta fallso”, deklaroi qershorin e 2020-ës Enkelejd Alibeaj.

Por Ardi Veliu vijon të mbetet i paprekshëm. Sepse mbrohet nga Rama për shërbimet që i kryen atij, aq sa ai i ka bërë ministrat që qëndrojnë mbi të, të ngjajnë si kukulla që ngrohin karrigen. /Zoom.al